HomePolitikë

Shqipëria s’përfiton asnjë fond nga Samiti i Berlinit. BE ndau 180 milionë euro për pesë vendet e rajonit

Qeveria shqiptare nuk arriti të përfitojë nga fondi prej 180 milionë eurosh që iu dhanë pesë vendeve të rajonit nga Procesi i Berlinit, i mbledhur në Poznan të Polonisë.

Bosnja dhe Maqedonia e Veriut kanë dalë më të fituarat me nga 3 projekte të zgjedhura në fushën e transportit dhe gazit natyror. Po ashtu dhe Kosova ka përfituar 27 milionë euro, dhuratë për linjën hekurudhore, ndërsa Serbia do të ndërtojë një linjë të re interkonjeksioni.

Shqipëria nuk ka paraqitur asnjë projekt në këto fusha dhe duket se ka ezauruar projektet e saj, falë programit të Partneritetit Publik Privat dhe në këtë mënyrë nuk merr grante nga Bashkimi Europian.

Në total, në 4 vitet e fundit, vendi ynë ka arritur të thithë vetëm 214 milionë euro investime nga axhenda europiane për Ballkanin, në fushën e transportit dhe energjisë, të fundit krahasuar me të gjitha vendet e tjera.

Këto projekte përkojnë me disa linja interkonjeksioni, rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës-Rinas dhe disa përmirësime në Portin e Durrësit. Nga ana tjetër, Maqedonia ka përfituar 272 milionë euro, Kosova 330 milionë euro, Mali i Zi 399 milionë euro, Serbia plot 627 milionë euro, e madje Bosnje-Hercegovina mbi 1 miliard euro.

Vendi ynë, megjithatë, mësohet se do të përfitojë nga shumat më të vogla që BE do të vendosë në dispozicion për përmirësimin e ndërlidhjes digjitale, si dhe për inovacionin në bizneset e vogla dhe të mesme. Në samit morën pjesë edhe ministrat e Jashtëm e ata të Ekonomisë nga vendet e Ballkanit dhe zyrtarë të lartë të vendeve anëtare të BE-së dhe Brukselit, ku e ftuar në Samitin e Ballkanit Perëndimor ishte edhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Kryeministri Rama publikoi dje një galeri me foto nga takimet e zhvilluara në këtë samit, ndërkohë që Bashkimi Europian konfirmoi angazhimin për forcimin e bashkëpunimit me rajonin përmes një sërë masash konkrete, që përqendrohen në pesë fusha kryesore: transporti dhe energjia, ajo digjitale, ekonomia, siguria dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

Samiti i Poznanit zhvillohet në kuadër të Procesit të Berlinit, nisur në vitin 2014 me iniciativë të Kancelares Merkel.

BASHA

Por kreu i opozitës, e cilësoi dështimin më të madh të Shqipërisë nga ky samit, e cila nuk mundi të përfitojë nga grantet e BE-së. Në një status në “Facebook”, Basha shkruan se “Shqipëria është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk përfitoi asnjë qindarkë nga 180 milionë eurot që Bashkimi Europian u dha vendeve të Ballkanit për projekte kombëtare infrastrukturore, për vitin 2019”.

Ai shkruan se mospërfshirja e Shqipërisë në këto projekte rajonale është izolim ndaj qeverisë Rama. “Është ndëshkim i qëllimshëm kundër një qeverie të korruptuar dhe të lidhur me krimin. Është vazhdim i qëndrimit të prerë të vendeve të Bashkimit Europian për të mbajtur Shqipërinë jashtë çdo procesi afrimi për aq kohë sa në pushtet është Edi Rama. Qeveria Rama është e vetmja qeveri në 30 vjet tranzicion që nuk ka bërë asnjë hap të vetëm në procesin e integrimit europian. Fatkeqësisht, izolimi ndërkombëtar që po i bëhet qeverisë Rama po sjell pasoja direkte për Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilët po ndëshkohen për shkak të Edi Ramës dhe lidhjeve të tij me krimin. Prandaj largimi i Ramës është një arritje që do të përmirësojë jetën e çdo shqiptari”, përfundon Basha reagimin e tij./PANORAMA


TË NGJASHME