HomeSociale

Shqiptarët burgosen për fabrikë kanabisi

Dy burra shqiptarë janë burgosur, pasi policia bastisi shtëpinë e tyre duke zbuluar 100 bimë kanabisi. Në Gjykatën e Preston, u dëgjua se policia ndërhyri në banesën pasi fqinjët u ankuan për erën e fortë të drogës dhe lëvizjeve të dyshimta.

Kur hynë në shtëpi, gjetën dy shtetas shqiptarë, Mentor Vata dhe Shpresim Vehapaj, të cilët po qëndronin në kuzhinë.

Hetuesi, Paul Cummings tha se më 24 qershor të këtij viti, herët në mëngjes rreth orës 5.20, policia shkoi në adresën e paralajmëruar në Darwen.

“Oficerët trokitën në derën e përparme dhe ata nuk morën përgjigje. Ata shkuan në derën e pasme dhe nuk morën asnjë përgjigje. Provuan dorezën e derës. Ishte zhbllokuar dhe mundën të hyjnë brenda. Menjëherë ata nuhatën erën e fortë të kanabisit. Ata panë që të dy të pandehurit po qëndronin në kuzhinë. Oficerët thanë se ishte e qartë se të paktën një nga burrat kishte fjetur në shtratin që u gjet në kuzhinë”.

Cummings tha që oficerët filluan të kontrollojnë shtëpinë dhe në dhomën e parë gjetën midis 20 dhe 30 bimë kanabisi në fazën e hershme të rritjes. Në dhomën e dytë kishte midis 20 dhe 30 bimë të rritura plotësisht.

Në dhomën e tretë kishte bimë që po thaheshin, ndërsa në papafingo kishte midis 50 dhe 60 bimë. Kishte gjithashtu prova që tregonin se energjia elektrike po merrej në mënyrë të paligjshme.

Vata, 33 vjeç dhe Vehapaj, 26 vjeç, të cilët nuk kishin dënime të mëparshme në Mbretërinë e Bashkuar, u deklaruan fajtor për prodhimin e kanabisit.

Duke mbrojtur të dy burrat, avokati Adam Watkins tha që të dy klientët e tij kishin hyrë në vend në mënyrë të paligjshme në kërkim të një jete më të mirë.

Ai tha se të dy klientët e tij do ta kishin të vështirë qëndrimin në një burg britanik sepse nuk mund të flasin anglisht.

Duke folur për Vatën, Watkins tha: “Ai erdhi në Mbretërinë e Bashkuar në pjesën e pasme të një kamioni duke shpresuar dhe duke pritur të gjente punë me të cilin do të mbështeste familjen e tij në shtëpi në Shqipëri.

“Ai kaloi një periudhë kohe në Enfield duke u mbështetur nga komuniteti lokal duke bërë kopshtarinë në kuptimin më të ligjshëm të asaj fjale. Kjo punë mbaroi. Ai nuk kishte të drejtë të përfitonte”.

“Ai nuk kishte kursime për t’u rikthyer në shtëpi. Atij iu ofrua mundësia që të përfshihej në këtë aktivitet. Ai u bë kopshtar gjatë orarit të natës. Ai nuk merrte asnjë pagesë në kuptimin e drejtpërdrejtë për atë që po bënte. Shpërblimi i tij ishte një shtrat, një çati mbi kokë dhe ushqim”.

218130176.jpg.gallery
218130178.jpg.gallery

Duke iu referuar Vehapajt, Z. Watkins tha: “Ai ka punuar në industrinë e ndërtimit në Londër. Ai ishte në atë adresë vetëm për disa orë. Ai pranon se ai do të paguhej në para për ndihmën e tij në ato pak orë”.

Vata u burgos për dy vjet, ndërsa Vehapaj mori një dënim prej katër muajsh.

Regjistruesi Jeremy Lasker u tha të dy burrave që ata do t’i nënshtroheshin procedurave të dëbimit pas lirimit të tyre.


TË NGJASHME