HomeSociale

Shtëpia e Bardhë konfirmon: Po shqyrtojmë blerjen e Grenladës

Presidenti i SHBA, Donald Trump, po e konsideron me të vërtetë blerjen e Grenlandës.

Pas lajmeve që ‘morën dhenë’ në të gjithë botën, bazuar në mënyrën se si u janë përgjigjur raportimeve për shitjen e vendit të tyre ligjvënës dhe pushtetarë nga Grenlanda apo Danimarka, dhe se si media të ndryshme kanë theksuar “shkallën e variueshme të seriozitetit të Trump”, Shtëpia e Bardhë e konfirmoi se çështja është serioze.

“Ne jemi duke e parë këtë opsion”, tha këshilltari i lartë ekonomik i Shtëpisë së Bardhë, Larry Kudlow, në “Fox News Sunday”, kur u pyet për blerjen e Grenlandës.

Kjo, pavarësisht faktit që qeveria e Grenlandës iu përgjigj Presidentit Donald Trump me një deklaratë nga Kryeministri i saj, se ishulli më i madh në botë nuk ishte për shitje. Komenti erdhi pasi “Wall Street Journal” raportoi i pari se Trump kishte hedhur idenë e blerjes së Grenlandës, një territor autonom danez. Por ishte e paqartë deri të dielën, nëse Trump e kishte diskutuar çështjen me shaka me këshilltarët e tij gjatë një mbrëmjeje, ku në të tilla raste bëhen edhe batuta, apo e mendonte me të vërtetë opsionin e shqyrtuar nga SHBA edhe shumë dekada më parë.

Sipas “Associated Press”, interesi i Trump për Grenlandën karakterizohej nga shkallë të ndryshme të seriozitetit. Kudlow tha të dielën se çështja është “në zhvillim”. “Unë nuk dua të parashikoj një rezultat. Unë thjesht po them se Presidenti, i cili di një ose dy gjëra në lidhje me blerjen e pasurive të patundshme, dëshiron t’i hedhë një vështrim blerjes së Grenlandës”.

Ai e quajti Grenlandën një vend strategjik me një shumë minerale të vlefshme. SHBA thuhet se e ka propozuar blerjen e Grenlandës nga Danimarka në vitin 1946 për 100 milionë dollarë, në kohën e Presidentit Truman, sipas AP dhe “Wall Street Journal”. SHBA ka pasur stacione moti dhe lehtësira ushtarake në ishull gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe aktualisht e ka një bazë të madhe ushtarake, “Thule Air Base” në Grenlandë. Ajo është instalimi më verior i ushtrisë amerikane në Veri të Rrethit Arktik.

Kudlow e quajti Danimarkën një aleat të SHBA. Por Ministria e Punëve të Jashtme e Grenlandës, në një mesazh në “Twitter” theksoi se Grenlanda është e hapur për biznes, por nuk është në shitje.


TË NGJASHME