HomeSociale

Shteti kosovar merr nën mbrojtje gruan rome

Deputeti i Partisë Rome të Bashkuar të Kosovës, Albert Kinolli, ka reaguar sot ndaj rastit të djeshëm me gruan rome, e cila në rrjete sociale u prezantua si keqbërëse dhe më pas u sulmua edhe fizikisht nga disa të rinj në Lipjan.

Kinolli bëri të ditur se tashmë gruaja në fjalë është nën mbrojtje shtetërore dhe institucionale.

” Të nderuar,sa për informacionin tuaj, dëshiroj të ju njoftoj se para një ore bisedova me drejtorin e Policisë së Kosovës Z. Rashit Çalaj, dhe para pak minutave i njëjti më konfirmoi se znj. nga komuniteti Rom nga sot do të jetë nën mbrojtjen Shtetërore dhe Institucionale dhe do të jetë e strehuar në vend të sigurt dhe se Gjykatat dhe Prokuroria janë duke bërë punën e tyre që ata persona të cilët e sulmuan personin në fjalë të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar”, ka shkruar deputeti Kinolli në llogarinë e tij në Facebook.

Gruaja rome fillimisht u akuzua se është një person transgjinor dhe se lëvizte nëpër vende për të rrëmbyer fëmijë, akuza këto që i ka hedhur poshtë Policia e Kosovës.

Përmes një njoftimi dërguar mediave, policia njofton se janë duke e hetuar sulmin që dje iu bë një gruas rome në Lipjan.

Njoftimi i plotë:

Me datën 29/05/2019 rreth orës 17:20, Policia e Kosovës ka pranuar një informacion se në sheshin ”Adem Jashari” të Lipjanit nga disa të rinj (të mitur) po sulmohet një femër.

Njësiti patrullues menjëherë ka ndërmarrë veprimet policore në terren për të parandaluar rastin e sulmit dhe me të arritur në vendin e ngjarjes ka takuar viktimën e cila dyshohet se ka qenë cak i sulmit nga disa persona të moshës së mitur.

Zyrtarët policorë kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore lidhur me rastin, duke përfshirë identifikimin e viktimës f/rome/kosovare, viti i lindjes (1990) nga Podujeva, e cila nuk komunikonte në gjuhën shqipe.

Policia e Kosovës në lidhje me këtë rast ka kontaktuar prokurorin kujdestar, me urdhër të të cilit është iniciuar rasti ‘sulm’, për të cilin janë duke vazhduar hetimet intensive, drejt zbardhjes së rastit dhe arrestimit të personit/ave të dyshuar.

Bazuar në hetimet e deritanishme, dyshohet se viktima është sulmuar nga personi/at e dyshuar, pasi që e njëjta (viktima) ka qenë e publikuar dhe e komentuar në forma të ndryshme në rrjetet sociale dhe media, kinse si person i dyshuar për vjedhje apo grabitje të mundshme të fëmijëve.

Lidhur me personin në fjalë Policia e Kosovës e ka bërë publike lajmin edhe dje (29.05.2019), se personi i apostrofuar në media është ndaluar dhe verifikuar disa herë dhe ka sqaruar se e njëjta nuk është e përfshirë në asnjë rast të kësaj natyre, nuk paraqet rrezik për askënd dhe se nuk ka pasur asnjë viktimë të raportimit të ndonjë rasti të tillë ndaj saj.

Andaj, Policia e Kosovës njofton të gjithë qytetarët dhe mediat se është duke e trajtuar këtë rast lidhur me personin në fjalë, për të cilin janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore konform autorizimeve ligjore, me qëllim të parandalimit të incidenteve të tilla dhe krijimit të lirisë së lëvizjes së lirë për të gjithë qytetarët pa dallime.



TË NGJASHME