HomePolitikë

Shtyhet ligji për tokat. Mediu akuzon PS dhe PD për “vjedhjen e pronës”

Komisioni i Ligjeve miratoi shtyrjen me një vit të afatit për verifikimin dhe regjistrimin e titujve të tokës bujqësore, ndërsa adresoi edhe një problematikë të shfaqur në zonën e Divjakës, ku mospërputhja e tokës me vendbanimin mbante të bllokuar regjistrimin e pronës.

Klotilda Ferhati, deputete e Partisë Socialiste, tha: “Por e kanë marrë në fshat tjetër, ama gjendja civile nuk përkon me tokën ku e kanë. E përdorin që nga ‘91, duhet mekanizëm ligjor që t’u jepet titulli i pronësisë”.

LSI e quajti klientelist ligjin, pasi, sipas saj, hap shteg për abuzime. Nasip Naço u shpreh: “Përveç atyre që kanë qenë punonjës të ndërmarrjeve bujqësore, vijnë tani edhe të tjerët që janë banorë të fshatit dhe do të marrin edhe ata tokën. Qëllimi është klientelist sepse shtoni me ligj edhe ata që nuk kanë qenë punonjës të ndërmarrjes bujqësore. Po legalizoni vjedhjen e bërë në këto 30 vjet”.

Kreu i republikanëve, Fatmir Mediu e quajti ligjin antikushtetues, ndërsa referuar problematikës me pronat drejtoi gishtin e akuzës si nga socialistët, ashtu edhe nga aleatët e tij demokratë, të cilët nuk erdhën në komision: “Koncepti është leninist që toka i përket atij që e punon. Keni shkatërruar të drejtën e pronësisë në Shqipëri. Të gjitha palët politike që kanë qenë në qeveri për interesa sa politike, sa elektorale dhe korruptive. Në mënyrë të veçantë ky ligj. Ka deputetë sot që kanë prona në toka në ferma bujqësore, deputetë që nuk kanë asnjë lidhje me pronën”.

Ulsi Manja u përgjigj: “Nuk po ia marrim as po ia japim pronën kujt, thjesht po krijojmë mundësi që të bëhet verifikimi i titujve të pronësisë dhe regjistrimi”.

Nisma kaloi me votën kundër të 3 deputetëve opozitarë.


TË NGJASHME