HomeSport

Shtyhet rikthimi i Neymar, ja shkaku

Pasi u aktivizua me kombëtaren e Brazlit, Neymar tregoi se është në gjendje të rikthehet të luajë sërish edhe për klubin e tij PSG, duke lënë pas dëmtimin. Mirëpo rikthimi i Neymar, me shumë gjasa nuk do të bëhet në ndeshjen e ardhshme ndaj Strasbourg. Sipas “Le Parisien”, arsyeja për këtë janë, tifozët.

Këta të fundit nuk e kanë pritur mirë sjelljen e Neymar gjatë merkatos, i cili kërkoi me ngulm rikthimin te Barcelona dhe për këtë arsye pritja e tyre në “Parc de Prince” nuk do të jetë aspak e ngrohtë. Duke qëndruar në atë që raporton e përditëshmja pariziene, trajneri Thomas Tuchel i druhet reagimit të tifozëve vendas dhe ka vendosur të shtyjë rikthimin në fushë të Neymar në ndeshjen e javës së ardhshme, në transfertën kundër Lyon.

Pas një telenovela të gjatë në merkaton e verës, Barcelona mbetet larg për Neymar. Kjo vetëm për momentin, pasi palët do të diskutojnë sërish tranferimin e tij ndoshta që në janar. Por deri atëherë, sulmuesi brazilian ka një detyrë të vështirë për të rifituar zemrat e tifozëve të Paris SG, të cilët në çdo ndeshje të këtij sezoni të ri e kanë shprehur hapur kundërshtimin e tyre në drejtim të Neymar.


TË NGJASHME