HomeOP-ED

Si e zgjidh krizën informimi mediatik?

kakavije

Greqia pranon 700 vetë në një pikë kufitare, dhe 300 në tjetrën, ose pak a shumë kështu.

E ku qenka problemi? Nuk është shkak fare për të krijuar kriza dhe dyndje masash që robtohen në kufi.

Mjafton çdo orë ne mediat kombëtare dhe ato lokale, tv, radio, etj., për disa ditë nga mëngjesi në darkë të jepet cdo orë informacioni i financuar nga dikasteret përkatëse me tre items fare të thjeshtë:

1. Sa vetë kanë kaluar deri në atë orë kufirin në çdo pikë?
2. Sa makina janë në radhë ende pra, sa vetë përafërsisht tashmë janë në radhë për ta plotësuar numrin e kuotës?
3. Sa minuta në radhë i duhet të presi i fundit në radhë deri në atë çast?

Autoveturat kanë radio, nuk janë karroca tërhequr nga gomerë. Kushdo që nga shtëpia në cdo orë të ditës kështu e di nëse ja vlen të niset drejt kufirit apo jo. T’a vazhdojë rrugën për në kufi apo jo. Nëse e sheh që e ka të pamundur t’a kalojë nuk niset atë ditë ose kthehet nga rruga. Po qe se nuk e bën, le të vijë pastaj nëpër ara dhe gërxhe.

Fare lehtë të llogaritshme nga shërbimet publike në kufi.

Krizat e këtij lloji vijnë nga asimetria e informacionit midis shërbimeve publike dhe qytetarit. Shërbimet publike dinë gjithçka kurse qytetari nuk di asgjë!

Përgjithësisht informacioni mbi qarkullimin rrugor është fare i munguar. A mund të nisim të bëjmë atë që realizojnë kaq mirë shoqëritë e qytetëruara që nuk e trajtojnë qytetarin si qen rrugësh? Me këto mbushini mediat, informacione utilitare për qytetarët për të mos lejuar krizat, jo me propagandë dhe lajme politike që nuk i duhen as dreqit, as me batuta meskine pa pikë vlere.

Paguani mediat për informacione të përditësuara dhe të freskuara çdo orë me rëndësi publike!

Autor: Artan Fuga


TË NGJASHME