HomeSociale

Si po ndikon emigracioni në ekonominë e vendit

Potencialet e larta që ka Shqipëria për emigrim, ku sistematikisht në tre vitet e fundit, mbi 50% e popullsisë ka pohuar se ka në plan të largohet të paktën sipas tre anketimeve të ndryshme (Gallup, Gëdeshi-King dhe UNESCO) e ka futur shoqërinë në një qark pesimizmi që po jep ndikime negative zinxhir në ekonomi.

Largimet, kryesisht në formën e azilit politik në Europë, rreth 170 mijë persona në 2015-2017, kanë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në uljen e konsumit në vend.

Teksa pjesa tjetër që planifikon të ikë dhe që po përgatitet për këtë qëllim, duke mësuar gjuhën gjermane dhe duke marrë trajnimet e nevojshme për punësim jashtë vendit (mjekët, infermierët dhe të rinjtë) po mbajnë të ndrydhur konsumin e mallrave të qëndrueshëm.

Duke planifikuar të emigrojnë, ata nuk blejnë shtëpi, nuk investojnë në prona, duke u limituar vetëm në financimin e përditshmërisë së tyre. Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, tha se potencialet e larta të emigrimit krijojnë një situatë pesimizmi që dëmton konsumin në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE) ra me 4.0 pikë në tremujorin e tretë të vitit 2018. Banka e Shqipërisë sqaroi se ecuria e treguesit reflektoi si rënien e besimit të biznesit, ashtu edhe të konsumatorëve. Vrojtimet e Bankës tregojnë se balanca e blerjeve të mëdha ra me 5.4 pikë përqindje në tremujorin e tretë. Sociologët shpjegojnë se emigracioni ndoshta është treguesi më i qartë që shoqëria po kalon një periudhë depresioni.

Vështirësitë ekonomike dhe humbja e shpresës i shtyjnë njerëzit ta kërkojnë fatin e tyre jashtë vendit dhe kjo mungesë sigurie do të reflektohet edhe në numrin e lindjeve. Nuk duhet harruar edhe fakti se emigracioni prek kryesisht të rinjtë dhe kjo patjetër që do të ketë ndikim demografik.

Bizneset kanë evidentuar se faktori demografik po shndërrohet në një nga shqetësimet kryesore të aktivitetit të tyre. Sektori i shitjeve me pakicë po vuan rënien e konsumit dhe disa linja prodhimi (fasoni) kanë nisur të ndiejnë vështirësi në gjetjen e forcës së punës.

Për herë të parë, Fondi Monetar Ndërkombëtar, në misionin e fundit, renditi emigracionin si një problem shqetësues, duke tërhequr vëmendjen e qeverisë shqiptare që të krijojë kushtet për një rritje gjithëpërfshirëse, me qëllim frenimin e fenomenit.

Dëshira për të migruar në këto përmasa lidhet me përfytyrimin që kanë njerëzit për të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve. Nga njëra anë, ai është një reflektim i gjendjes reale ekonomike, sociale e politike në vendin e origjinës, nga ana tjetër, i mundësive potenciale në vendin pritës. Vrojtimi tregoi se, rreth 50% e familjeve me të ardhura nga 1000-1470 euro duan të largohen. Por gjithashtu u pa se 70% e emigrantëve të rikthyer duan të largohen./Monitor


TË NGJASHME