HomeShëndeti

Si të mbrojmë flokët nga moti i ftohtë

Temperaturat po ulen gradualisht dhe po e ndjejmë që shumë shpejt do të na duhet të përballemi me të ftohtin e dimrit. Moti i ftohtë i bën flokët të duken më të ashpër dhe të pajetë, prandaj duhet të tregoni një kujdes të veçantë për ta gjatë stinës së dimrit. Lisa Laudat, stiluesja e flokëve të Rita Orës dhe disa personazheve të tjerë me famë botërore ka folur për Daily Mail dhe ka dhënë disa këshilla, që duhet t`i keni parasysh në stinën e dimrit, nëse doni që flokët tuaj të duken po aq bukur sa në verë.

Përdorni një furçë dhëmbësh

Gjatë dimrit flokët kanë tendencën për t`u tharë, dredhur dhe për t`u dukur më të çrregullt. Për t`i bindur flokët mund të spruconi pak llakë flokësh në një furçë dhëmbësh dhe ta kaloni sipër flokëve, në këtë mënyrë do të duken më të shëndetshëm dhe më të rregullt.

Thajini me një bluzë, jo me peshqir

Në vend të peshqirit mund të pëdorni një bluzë pambuku për t`i tharë flokët pasi i keni larë. Peshqiri është shumë i ashpër për flokët tuaj, prandaj bluza e pambukut është një zgjidhje alternative shumë më e mirë.

Hidratohuni

E dimë që gjatë verës është e rëndësishme të qëndrojmë të hidratuar, por edhe gjatë dimrit duhet të konsumojmë shumë ujë, në mënyrë që lëkura dhe flokët tanë të jenë më të shëndetshëm.

Mos i krihni më shumë nga sa duhet

Krehja e tepërt shkakton këputjen e flokëve ose ndarjen e tyre në maja dyshe, prandaj kursehuni paksa më krehjen.

Shmangni larjen e përditshme

E dimë që floku në dimër duket keq nëse nuk lahet përditë, por larja e shpeshtë e dëmon atë. Mundohuni të përdorni shampo të thata, në vend të larjes së përditshme.

Mbajini majat e flokëve të kuruara

Majat e flokëve duken edhe më të thata gjatë dimrit, prandaj do të ishte mirë të kujdeseshit shumë për to, pasi majat e ndara nuk duken bukur. Përdorni një balsam ose serum për t`i bërë të duken të kuruara.

Mbani një kapele

Kapelja është zgjidhja perfekte kur flokët tuaj nuk janë në formën e tyre më të mirë, por po ashtu i mbron nga disa elementë të dëmshëm.


TË NGJASHME