HomeSociale

“Siguria Rrugore 2020” / Ndryshime në kodin e ri rrugor, flet Lleshaj

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj në Konferencën e Nivelit të Lartë “Siguria Rrugore 2020” tha se në ndryshimet e reja në kodin e ri rrugor do të parashikohen masa të forta kundër përdorimit të mjeteve që shkaktojnë shpërqendrim, sidomos të celularëve.

“Modernizmi, pajisja dhe profesionalizimi i thellë i policisë rrugore dhe i strukturave të tjera të rendit dhe sigurisë publike është një parakusht i rëndësishëm”.

“Ndryshime të rëndësishme parashikohet të propozohen për rritjen e kërkesave për cilësinë e lejeve të drejtimit, sidomos për rimarrjen e tyre, për futjen e testeve psikologjike për shkelësit përsëritës etj”, tha Lleshaj.

Fjala e ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj në Konferencën e Nivelit të Lartë “Siguria Rrugore 2020”:

Raporti Global për Sigurinë Rrugore i OBSH, i dhjetorit 2018, thekson se numri i viktimave të qarkullimit rrugor në nivel botëror ka arritur në shifrën e 1,35 milionë njerëzve në vit dhe se vrasësi më i rrezikshëm i njerëzve mes moshës 5 – 29 vjeç janë aksidentet në rrugë.

I njëjti raport kërkon marrjen e masave drastike për sigurinë rrugore, duke theksuar se çmimi i paguar për lëvizshmërinë është shumë i lartë.

Bashkimi Europian konsiderohet si një ndër zonat më të sigurta në botë në këtë fushë.

Për periudhën 2010-2018 numri i fataliteteve në rrugët e BE u ul me 21 %.

Për të njëjtën periudhë, në Shqipëri numri i fataliteteve prej aksidenteve rrugore ka njohur një trajektore me ulje të theksuar.

Në vitin 2019 Shqipëria regjistroi 227 të vrarë në aksidente, nga 378 në 2009, me një ulje prej 40 %.

Ky është një lajm jashtëzakonisht inkurajues.

Por përsëri shqetësimi mbetet i lartë. Aksidentet janë vrasësi kryesor, pas sëmundjeve të rënda.
Aksidentet vrasin shumë herë më tepër se sa krimi.

Pjesëmarrja shumë e lartë e publikut në sondazhet e zhvilluara nga MB në interes të kësaj konference, në të cilat morën pjesë më shumë se 65 mijë qytetarë, tregon rëndësinë e jashtëzakonshme që ka tema për të cilën jemi mbledhur.

Bashkimi Europian po punon për realizimin e ambicies të quajtur “Vizioni Zero”, që synon afrimin tek shifra zero e viktimave në qarkullimin rrugor në vitin 2050.

Edhe tek ne, nëse do trajektorja e numrit të viktimave në aksidente do të ndjekë tendencën e viteve të fundit, ky objektiv mund të arrihet.

Sigurisht që sot një objektiv i tillë mund të duket si një ëndërr e bukur, por unë mendoj se kjo gjë është e mundur.

Në funksion të këtij objektivi kërkohet një program kombëtar i cili do të parashikojë një qasje të fortë dhe gjithëpërfshirëse për rritjen e sigurisë rrugore.

Dhe në fakt ky është qëllimi i konferencës së sotme; kërkimi i rrugëve dhe praktikave më të mira që na çojnë drejt këtij objektivi të rëndësishëm kombëtar.

Vizioni Zero kërkon së pari më shumë hapësirë për temën e sigurisë rrugore në politikë dhe më tej në shoqëri, më shumë ndjeshmëri publike.

Aksidentet në rrugë janë një vrasës i heshtur dhe pasojat e tyre kalojnë pa u vënë re shumë. Rënia e një avioni të madh me pasagjerë është një ngjarje shumë e rrallë dhe, nëse fatkeqësisht ndodh, merr vëmendjen e gjithë botës, ndërkohë që aksidentet në rrugë vrasin pa rënë shumë në sy.

Në rrugët e botës vetëm në një javë vriten dhjetra mijëra njerëz, pothuajse një numër i barabartë me atë që mund të rezultonte nga rrëzimi i 56 avionëve të mëdhenj (jumbo jet) të mbushur me pasagjerë, por ato nuk arrijnë të gjejnë vëmendjen e duhur.

Ndaj kërkohet vërtet ndjeshmëri e lartë publike dhe masa të forta e të gjithanshme për të mos e pranuar vdekjen në aksidente si një çmim i pashmangshëm për mobilitetin.

Ajo që kërkohet në fakt është ndërtimi i një sistemi të sigurtë që përmbledh në vetvete:

– Automjete të sigurta,
– Infrastrukturë të sigurtë,
– Sjellje të sigurtë në rrugë (përgjegjshmëri e lartë, shpejtësi normale, kthjelltësi dhe udhëtim jashtë ndikimit, pajisje të sigurisë), si dhe
– Sjellje dhe përkujdesje më të mirë pas aksidenteve.

Automjetet
Automjetet e sigurta konsiderohen si një faktorët që kanë sjellë përmirësimin e treguesve të sigurisë rrugore në kontekstin europian.

Infrastruktura
Në BE llogaritet që infrastruktura rrugore është faktori që kontribuon në më shumë se 30 % të aksidenteve.

Të dy këto çështje janë përgjegjësi e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe do të trajtohen nga ministrja Balluku dhe ekspertët.

Sjellja
Sjellja e sigurt në rrugë konsiderohet si një ndër faktorët me më shumë potencial përmirësimi.
Përgjegjshmëria në qarkullim, shpejtësia normale, drejtimi i mjetit jashtë ndikimit të alkoolit, drogës apo substancave të tjera psikotrope, mos përdorimi i pajisjeve shpërqendruese si telefonat dhe mjete e tjera mobile, vendosja e rripit të sigurisë, përdorimi i ulëseve të posaçme për fëmijët, përdorimi i helmetës etj., janë elementë të faktorit human me rëndësi thelbësore në sigurinë rrugore.

Adresimi i faktorit human kërkon rigorozitet ekstrem në dhënien e lejeve të drejtimit, edukim specifik, ndërgjegjësim masiv dhe rreptësi e qëndrueshmëri në kuadër të detyrimit ligjor.

Ndryshime të rëndësishme parashikohet të propozohen për rritjen e kërkesave për cilësinë e lejeve të drejtimit, sidomos për rimarrjen e tyre, për futjen e testeve psikologjike për shkelësit përsëritës etj..

Po ashtu, në këtë fushë parashikohen programe të rëndësishme për edukimin dhe ndërgjegjësimin qytetar.

Shpërqendrimi
Një aspekt tjetër i rëndësishëm është përballimi i burimeve të reja të rrezikut në rrugë që më së shumti sot lidhen me shpërqendrimin që sjell përdorimi i pajisjeve të komunikimit mobil si telefoni, etj..

Shpërqendrimi konsiderohet burimi për 10-30 % të aksidenteve.

Përdorimi i telefonave celularë, por edhe i sistemeve elektronike të integruara në makinë është një faktor i rëndësishëm për aksidente rrugore.

Studimet serioze provojnë se kërkimi dhe thirrja e një numri telefoni nga celulari e rrit rreth 12 herë riskun e një aksidenti, ndërkohë që formulimi i teksteve për mesazhe e rrit këtë risk me rreth 6 herë.

Në ndryshimet e reja në kodin e ri rrugor do të parashikohen masa të forta kundër përdorimit të mjeteve që shkaktojnë shpërqendrim, sidomos të celularëve.

Turbullimi
Qarkullimi në kushte të turbullimit mendor për shkak të alkoolit apo drogës është një tjetër burim i konsiderueshëm rreziku. Rreth 25 % e aksidenteve vdekjeprurëse në BE vijnë për shkak të alkoolit, ndërkohë që përdorimi i drogës e shumëfishon rriskun e aksidentit me disa herë.

Në këtë fushë parashikohet të bëhen investime të rëndësishme për pajisjen e policisë rrugore me aparate të nevojshëm për matjen e nivelit të përdorimit të alkoolit dhe të drogës.

Shpejtësia
Shpejtësia është një tjetër element shumë i rëndësishëm që lidhet me faktorin human.

Rreth 1/3 e aksidenteve me pasoja fatale në BE vjen për shkak të tejkalimit të shpejtësisë.

Kryerja e investimeve të rëndësishme për monitorimin inteligjent të akseve rrugore dhe për evidentimin automatik të shkeljeve të rregullave të qarkullimit konsiderohet si një ndër rrugët më të sigurta.

Ndihma e shpejtë
Ndihma e shpejtë dhe efektive në raste aksidentesh është një tjetër faktor madhor për reduktimin e pasojave të aksidenteve.

Rreth 50 % e vdekjeve në aksidente ndodhin në harkun e disa minutave në vendngjarje, ose gjatë transportit për në spital.

Është kjo arsyeja që asistenca e shpejtë dhe efektive në vendngjarje është një fushë ku kërkohet progres i shpejtë. Në këtë fushë parashikohet që të bëhen investim të rëndësishme për modernizimin dhe pajisjen e shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin.

Kapacitetet ligjzbatuese dhe edukuese
Rritja dhe forcimi i kapaciteteve ligjzbatuese konsiderohet si një ndër faktorët me rëndësi të dorës së parë me ndikim mbi sjelljen e përdoruesve të rrugës.

Modernizmi, pajisja dhe profesionalizimi i thellë i policisë rrugore dhe i strukturave të tjera të rendit dhe sigurisë publike është një parakusht i rëndësishëm.

Të njëjtat kërkesa shtrohen edhe për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin.

Të dy këto shërbime kanë një rol të pazëvendësueshëm për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, ashtu sikundër kanë nevoja për investime themelore dhe modernizim të thellë.

Për financimin e investimeve në këta sektorë ka ardhur koha që të zbatohen modele dhe përvoja të suksesshme europiane. Për këtë qëllim duhet të përdoren dy burime kryesore:

– Të ardhurat që sigurohen prej gjobave ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit;

– Një pjesë e fondeve që mblidhen nga kompanitë e
sigurimeve si prim sigurimi.

– Ngritja e një instrumenti që do të mundësonte shndërrimin e këtyre burimeve financiare në investime në funksion të modernizimit të shërbimit të policisë rrugore dhe shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi, do të jetë edhe hapi i radhës që do të merret për të garantuar plotësimin e dy funksioneve jetike për siguri në rrugët tona.

Në vijim të konferencës në kuadër të një grupi ndërinstitucional, me përfshirje të gjerë dhe nga aktorë të tjerë dhe ekspertë, do të hartohet një plan për hapat e mëtejshëm, i cili do të përqendrohet në këto çështje:

– Draftimi i Programit Kombëtar për Sigurinë Rrugore
– Përfundimi i draftimit të akteve ligjore dhe nënligjore përkatëse
– Hartimi i projekteve teknike që do të mbështesin realizmin e programit.

M.H/ GotaNews


TË NGJASHME