HomePolitikë

Situata në Lindjen e Mesme, sot takohen Merkel dhe Putin!

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, do të takohet sot në Moskë me presidentin rus, Vladimir Putin. Dy liderët pritet të diskutojnë kryesisht për tensionet e fundit në Lindjen e Mesme.

Kremlini tha se në këtë takim do të diskutohet edhe për gjendjen në Siri dhe Libi.

Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert, tha më parë gjatë kësaj jave se kancelarja Merkel dëshiron të diskutojë për pikat e tanishme të trazirave në Lindjen e Mesme.

“Qartazi, tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, në mesin e disa çështjeve të tjera, mund të jenë temë e bisedimeve mes kancelares dhe presidentit Putin në Moskë”, tha ai.

Ai shtoi se Rusia është faktor i rëndësishëm në skenën botërore dhe si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, është gjithashtu pjesëmarrëse e domosdoshme për zgjidhjen e konflikteve politike.

Merkel dhe Putin u takuan muajin e kaluar në Paris në kuadër të përpjekjeve për arritjen e një armëpushimi në pjesën lindore të Ukrainës. Rusia dhe Gjermania janë gjithashtu të përfshira në përpjekjet për arritjen e armëpushimit në Libi, shkruan “Free Europe”


TË NGJASHME