HomePolitikë

S’ka marrëveshje për Qeverinë e re/ Mblidhet sot parlamenti i Kosovës

Parlamenti i Kosovës i dalë nga zgjedhjet e parakohshme parlamamentare të 6 tetorit mblidhet sot pasdite. Por mbledhja e gjen atë pa një marrëveshje për ngritjen e qeverisë së re. 

Të mërkurën në mbrëmje kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetin social facebook, tha se Lidhja Demokratike e Kosovës ka refuzuar ofertën e fundit të partisë së tij.

“Oferta ime e parmbrëmshme, 23 dhjetor, u refuzua dje. Ajo i kishte tri pika dhe afatin deri në mesnatën e mbrëmshme. Pika 1: VV-së si parti e parë, i takon kryetari i Kuvendit dhe nënkryetari i parë, LDK-së i takon nënkryetari i dytë. Le ta bëjmë rokadën midis kryeparlamentarit dhe nënkryetarit të dytë të Kuvendit. Kryeparlamentarin e merr LDK ndërkaq nënkryetarin e dytë VV-ja. Pika 2: Çështjen e presidentit më së miri e lëmë për më vonë. Mirëpo nëse LDK-ja patjetër insiston që ne patjetër ta bëjmë premtimin për nominimin nga LDK, atëherë neve duhet të na shtohet tash një ministri: Ministria e Punëve të Brendshme e cila ka rëndësi jetike për luftimin e krimit dhe korrupsionit. Nominimi i LDK-ja për kandidatin për president bëhet pasi të mos kemi gjetur një personalitet koncensual jashtëpartiak, kurse kur të përcaktohet LDK-ja për emrin e tij ose saj, do të kërkohet edhe pëlqimi i VV-së. Dhe pika 3: sipas kërkesës së LDK-së, ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndahet me ç’rast Kultura dhe Rinia i kalojnë ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, ndërkaq Sporti i kalon ministrisë së Shëndetësisë. Pakicat joserbe e marrin ministrinë e Zhvillimit Rajonal ose atë të Pushtetit Lokal, kurse pakica serbe ministrinë për Komunitetet”, tha ai.

Kryetari i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa, shkroi ndërkaq se gatishmëria e lëvizjes Vetëvendosje për ta mbështetur kandidatin e propozuar nga LDK-ja për President të Kosovës, por duke kërkuar më shumë hise në qeveri, nuk është parim, por tentim për të përfituar më shumë.“Ne mendojmë se ndarja e balancuar e përgjegjësive, konform rezulatit të zgjedhjeve, rezulton në këtë formulë, Kryetari i Kuvendit, Presidenti, kur të mbetet pozita e lirë, dhe gjysma e qeverisë duhet t’i takojnë LDK-së, nëse Vetëvendosje dëshiron mbështetjen e LDK-së për t’ia besuar asaj drejtimin e ekzekutivit dhe gjysmën e Qeverisë.

Ndryshe, marrëveshja do të ishte e pabalancuar dhe nuk do të siguronte stabilitet qeverisës, as funksionim demokratik të institucioneve kryesore. Vetëvendosja ka filluar ta kuptoj këtë dhe shpresoj që në ditët në vazhdim, do të ulemi dhe do t’i definojmë të gjitha aspektet. E drejta dhe detyrimi kushtetues i takojnë te parit, ashtu si dhe përgjegjësi për te gjetur zgjidhje dhe për t’i ndërtuar institucionet e reja. Ne jemi gati për negociata”, shkroi zoti Mustafa.

Lidhja Demokratike e Kosovës, kërkon që pjesë e marrëveshjes për koalicionin qeverisës me lëvizjen Vetëvendosje duhet të jenë të gjitha pozitat udhëheqëse të vendit, përfshirë edhe atë të presidentit të vendit.

Kosova ka përvojë të proceseve të gjata të negocimit të koalicioneve qeverisëse në të kaluarën. Vëzhguesit ndërkaq thonë se vendi ndodhet në një periudhë kur duhet përshpejtuar proceset për të shmangur zgjatjen e një boshllëku institucional që mund të ketë pasoja për të ardhmen.


TË NGJASHME