HomePolitikë

S’ka unitet për negociatat, Hahn: U kërkoj falje qytetarëve

Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian nuk kanë mundur të arrijnë dakordsimin për hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian.

Pas përfundimit të takimit, ministrja e Jashtme e Finlandës, Tytti Tuppurainen, deklaroi se në mbledhjen e ministrave është vlerësuar se Shqipëria nuk mund të trajtohet e ndarë nga Maqedonia e Veriut.

“Vlerësuam që ndarja e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut nuk është e duhur. E vetmja gjë që mundëm të arrijmë është që KE do të kthehet mbi këtë çështje. Besojmë që KE do marrë vendim pozitiv për çështjen e integrimit për të dy vendet”, tha ministrja finlandeze.

Ndërkohë, Komisioneri për Zgjerim në largim i BE, Johanes Hahn, ka thënë se 25 vende janë shprehur pro hapjes së negociatave të të dy vendeve, ndërsa nuk janë bindur ende tri vende të tjera. Po ashtu, ai ka kërkuar falje ndaj qytetarëve shqiptarë dhe atyre të Maqedonisë së Veriut që ministrat nuk mund të merrnin një vendim në mbledhjen e sotme.

“I kërkoj falje qytetarëve të dy vendeve që nuk arritëm të binim dakord. Procesi është I bazuar në merita dhe këto dy vende i kanë realizuar kërkesat. Unë kam bërë maksimumin tim, por kam besim se do të kemi sukses në fund. 25 shtete janë në favor të hapjes së negociatave. Nuk kam asnjë indikacion që Macron do të ndryshojë qëndrim. Na duhet një sinjal politik për të dhënë dritën jeshile për nisjen e bisedimeve. Duhet të nisin përgatitjet për hapjen e bisedimeve për kapitujt e parë që janë ato të sundimit të ligjit”, tha Hahn

Pyetjes nëse refuzimi i BE për hapjen e negociatave mund të rrezikojë që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut mund të përfshihet në krizë të thellë politike, Hahn i është përgjigjur duke thënë se kjo mbyllje dere nga ana e Europës mund të krijojë dinamika të brendshme.

Eurokomisioneri i vlerësoi dy vendet për arritjet e objektivave, duke theksuar se ato kanë ndërmarrë reforma të “dhimbshme”

Edhe unë nuk dua të spekuloj, por sigurisht që shpresoj që , siç e thashë se kam ende besim se liderët e BE do të reflektojnë për këtë vendim, nuk dua të spekuloj, por sigurisht, pjesë e këtij reflektimi të enjten duhet të kuptojmë se reformat e dhimbshme që vendet kanë ndërmarrë, le të themi ka edhe kredit politik për ata që ata kanë arritur t’i bëjnë ato, nëse vendimi do të jetë negativ për momentin, nuk mund të përjashtohet se mund të nxisë dinamika të brendshme, por unë dua t’i nxisë të gjithë që të jenë të angazhuar e të fokusuar e të mos dorëzohen. Unë e kuptoj shumë mirë se vendi im së bashku me Finlandë dhe në të njëjtën dhe  Suedia donin të bëheshin anëtarë, nuk ishte një rrugë e shtruar, por kishte problemet e veta. Ka një traditë që ato vendet që janë anëtare janë pak të pavendosur për të pranuar të tjerët, por është puna jonë për ta ndryshuar këtë perspektivë,”-tha Hahn.


TË NGJASHME