HomeLajmi i Fundit

Skandali në spitalin “Shefqet Ndroqi”/ Reagon prokuroria: Çdo i implikuar do dënohet

Pas skandalit të ndodhur në spitalin COVID2, ku një sanitare kishte mashtruar një qytetare e cila e kishte të shtruar nënën e saj. Ajo i kishte zhvatur 8 milion lekë, qytetares duke pretenduar se është infermiere.

E sëmura ndërroi jetë,më 25 dhjetor, pasi sanitarja nuk i kishte dhënë as për të ngrenë.

DOSJA E PROKURORISË

Prokuroria pranë gjykatës së shkallës së parë Tiranë ka regjistruar P.p.nr.281 datë 13.01.2021 në ngarkim të shtetases Tire Alldervishi për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimit” të parashikuar nga nenet 143/2 te Kodit Penal.

Shtetasja Eltjana Sinanaj, ka bërë kallëzim penal ndaj shtetases Tire Alldervishi e datëlindjes 15.03.1962 me pretendimin se kjo e fundit, i ka marrë disa shuma parash të konsiderueshme për t’i shërbyer mamasë së kallëzueses. Alldervishi i ishte paraqitur si infermiere, ndërkohë që pozicioni i saj ishte sanitare.

Ka qënë emisioni “STOP”, i cili ka zbuluar skandalin, si dhe ka transmetuar pamjet e ngjarjes.

Në datën 28.11.2020 mamaja e kallëzueses është shtruar tek spitali universitar “Shefqet Ndroqi” pasi ka rezultuar pozitive me COVID-19 dhe ka ndërruar jetë po në këtë spital me date 25.12.2020. Në derë i është paraqitur një shtetase e veshur si infermiere dhe i ka thënë që është infermiere në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Kjo shtetase ishte Tire Alldervishi dhe që më vonë ka marrë vesh se punonte si sanitare në këtë spital.

Fillimisht sanitarja i ka kërkuar shtetases E.S. një shumë lekësh prej 2000 lekësh që t’i jepte telefonin mamit, duke i thënë që po e bënte për atë edhe pse nuk e kishte parë asnjëherë më përpara.

Më tej sanitarja i kishte kërkuar kallëzueses që ta presë në lokal.

Alldervishi i kishte thënë kallëzueses se në lokal nuk lejohej të vinin asnjë nga infermierët, dhe i ka kërkuar shumën prej 10 000 lekësh për doktoreshën dhe 5000 për infermierët dhe sanitarët që i hiqnin pampersin.

Kallëzuesja zhvatej vazhdimisht, ku çdo ditë ajo jepte nga 3000 mijë dhe 5000 mijë lekë, për infermierët dhe për mjekët. Kallëzuesja nuk kishte informacion nëse nëna e saj po kurohej apo jo, sepse nëna e saj i kishte thënë me mesazhe që nuk i japin asgjë nga ato që i sillnim ata.

Shuma e paguar ne total është rreth 800.000 lekë të reja pa llogaritur ilaçet që kallëzuesja sipas instruktimit të Tire Alldervishit i blinte nëpër farmaci të ndryshme për t’ia dhënë asaj me qëllim që të bëhej mjekimi i mamasë së saj.

Komunikimet ndërmjet Tire Alldervishi dhe kallëzueses janë bërë si verbalisht ashtu edhe nëpërmjet rrjetit të komunikimit What’s Up.
Është ndaluar shtetasja Tire Alldervishi dhe ndaj saj është depozituar kërkesa e Prokurorisë për vleftësimin e ndalimit dhe caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë do të kryejë një hetim të plotë dhe të thelluar për të qartësuar nëse ndodhemi para një rasti sporadik apo para një skeme të mirëfilltë përfitimi nga personeli mjekësor apo ndihmës në kurriz të të sëmurëve me sëmundjen COVID-19 duke mos hezituar të vërë para përgjegjësisë penale këdo që do të rezultojë i implikuar.