HomeSport

Skënderbeu feston titullin e tetë kampion, bie Vllaznia

Nëse në Shkodër ka lot, për rënien e Vllaznisë në Kategorinë e Parë, në Korçë ka festë dhe fishekzjarre. Skënderbeu ngriti titullin e 8 kampion në histori, në një ceremoni mjaft të bukur, të organizuar në qytetin e Korçës, në stadiumin ‘Skënderbeu’.

Skenën e morën nën kontroll protagonistët e titullit, lojtarët dhe stafi teknik i skuadrës, që shkuan të festojnë me tifozërinë, që edhe sot ishte e madhe në numër.

Të gjithë protagonistët e këtij sezoni mjaft të bukur për korçarët, parakaluan gjatë gjithë stadiumit, duke u përshëndetur nga afër dhe duartrokitur tifozërinë, që nga ana e saj brohoriti në kor emrat e të gjithë futbollistëve dhe stafit.

Ndërkohë që në Korçë festohet, në Shkodër ka lot, pasi Vllaznia do të detyrohet të luajë në Kategorinë e Parë sezonin e ardhshëm. Keqardhja është maksimale për skuadrën që cilësohet si ‘djepi i futbollit shqiptar’, por që fatkeqësisht këtë sezon nuk ia doli të mbijetojë, ashtu si bëri sezonin e kaluar.

Shkodranët e mbyllën sezonin në vendin e parafundit, duke iu bashkuar Lushnjës në rrugën drejt Kategorisë së Parë, ndërsa zhgënjimi dominon te ‘i madh e i vogël’, në qytetin ku futbolli është si një fe/supersport.al


TË NGJASHME