HomePolitikë

Socialistët fitojnë zgjedhjet në Spanjë por …

spanje

Partia e cila ka udhëhequr deri më tani ka fituar shumicën e ulëseve në parlamentin spanjoll këtë të diele, por duket që ka nevojë për mbështetjen e partive më të vogla për ta krijuar qeverinë.

Pas numërimit të 99% të votave, Partia Socialiste e Punës, (PSOE) e udhëhequr nga kryeministri i tanishëm Pedro Sanchez, ka fituar 29% të votave, dhe ka arritur 123 ulëse në parlamentin i cili ka komplet, 350 sosh. Ndërsa në anën tjetër të spektrit politik, partia e ekstremit të djathtë, Vox, ka fituar 10% të votave, që përkthehet në 24 ulëse, raporton BBC, transmeton Gazeta Express.

Ishte një natë e keqe për partitë që e kanë dominuar deri më tani skenën politike, ndër to edhe Partia Konservatore, e cila morri 66 ulëse, nga 135 gjithsej sa i kishte pasur mandatin e kaluar. Kjo parti shumicën e votave i humbi nga partia Vox, e cila arriti t’ia marrë shumë votues. E partia e qendrës së djathtë, Partia e Qytetarëve, do t’i rrisë numrin e ulëseve nga 32 në 57.

Ai që mbetet në zyre është kryeministri Sanchez, të cilit i duhet që ta formojë një qeveri me parti më të vogla, përfshirë edhe të majtën ekstreme, partinë “Të Bashkuar Mundemi”, e cila edhe ashtu humbi shumë ulëse këtë mandate. Lideri i kësaj partie, Pablo Iglesias, tha të dielën mbrëma se ai tashmë i ka ofruar mbështetje Sanchezit, duke thënë se ai “do të dëshironte një rezultat më të mirë, por mjafton që e kemi ndalur krahun e djathtë dhe do të formojmë një qeveri dhe koalicion majtist”.

Një koalicion mes Socialistëve dhe partisë “Të Bashkuar Mundemi”, do të kishte 165 vota në parlament, 10 më pak sesa shumica e nevojshme për ta krijuar qeverinë. Kjo do ta linte Sanchezin në një pozitë të vështirë, pasi ai do të duhej të merr një vendim të vështirë, të bëjë apo jo koalicion me katalunasit, një lëvizje e cila do t’i nervozonte spanjollët.

Pas një kohe të gjatë të të pasurit vetëm dy parti politike, Spanja kësaj here është ndarë në pesë parti politike. Votuesit kanë qenë të ndarë për shkak të krizës së recesionit, skandaleve të korrupsionit, pavarësisë së Katalonisë dhe rritjen e nacionalizmit të së djathtës ekstreme.

Ardhja e partisë Vox në parlamentin e Madridit bën një ndryshim të madh, në një vend ku e djathta nuk ka pasur një rol të madh në vend që nga koha e tranzicionit demokratik dhe vdekjes së diktatorit Francisco Franco në vitin 1975.

Vox është formuar para pesë viteve, duke premtuar që t’i mposhtë të gjithë “armiqtë” e Spanjës, duke cituar feministët, elitën liberale dhe myslimanët.

Dalja në votime këtë të diele ishte 75%, 8 pikë më shumë se në zgjedhjet e vitit 2016. Dalja më e madhe në votime ishte në rajonin e Katalonisë.

Gazeta ekspress


TË NGJASHME