HomeSociale

Sondazh për zgjedhjet vendore/ PS rikthen Dritan Lelin

PS është futur në fazën kulmore të përzgjedhjes së kandidatëve për zgjedhjet e 30 qershorit ku do të votohen krerët lokalë. Për përcaktimin e kandidatëve, socialistët kanë ndjekur një strategji të veçantë, pasi një grup pune i specializuar, po vlerëson kanidaturat, bazuar në sondazhe që janë zhvilluar në të 61 bashkitë e vendit.

Kupola drejtuese e PS-së ka vendosur të garojë me ata kandidatë të cilët do të marrin mbështetjen më të madhe nga qytetarët, sipas sondazheve.

Kongresi i 23 marsit i PS, konfirmoi 7 prej tyre për bashkitë kryesore në vend. Përmes fjalimeve të mbajtura në sallë, PS zbuloi se në Bashkinë e Korcës konfirmoi për një mandat të dytë, kryetarin aktual Sotiraq Filo, po ashtu Armando Subashi u rikonfirmuar për Bashkinë e Fierit, Dritan Leli në Vlorë,  Majlinda Bufin në Roskovec dhe Erion Veliajn në Tiranë.

Ndërkaq për Bashkinë e Lezhës PS do të garojë në këto zgjedhje me Pjerin Ndreun i cili sipas sondazhit është pritur mirë nga opinioni lezhjan. Ndërsa në Elbasan, në vend të Qazim Sejdinit i cili ka drejtuar qytetin për 3 mandate, socialistët duket se kanë vendosur t’i besojnë Bashkinë, prefektit aktual Gledian Llatja.

Por edhe pse, iu drejtua me një fjalim Kongresit, ç’ka la të mendohej se edhe Dritan Leli konfirmohej për një mandat të dytë për Bashkinë e Vlorës, burime nga PS thanë se skuadra e cila merret me sondazhet e kandidaturave, ka kërkuar edhe një herë opinionin e publikut, duke e rikthyer në sondazh  kryebashkiakun e Vlorës, Dritan Leli.

Për të shmangur çdo pakënaqësi në qarkun ku vetë kryeministri është deputet, dhe për të qenë të sigurtë se Leli është kandidatura e duhur në 30 qershor, skuadra e sondazheve në PS, ka zbritur në terren me qytetarët.

Rezultati i sondazhit pritet të konfirmojë nëse Leli do marrë  një mandat të dytë si kryebashkiak i qytetit bregdetar apo do të përzgjidhet një tjetër kandidat për të drejtuar Vlorën.


TË NGJASHME