HomeLajme

Sondazhi/ 15 % e shqiptarëve i mbajnë kursimet jashtë bankave

Është vërtetuar në disa mënyra që shqiptarët nuk kanë marrëdhënie të mira me sistemin bankar, teksa një pjesë e konsiderueshme e popullsisë vijon ti mbajë kursimet jashtë sistemit bankar.

Të dhënat që dolën nga një anketë e Bankës së Shqipërisë treguan se gati 15 për qind familjeve shqiptare kanë kursime në vlera monetare jashtë sistemit bankar. Nga kjo kategori 13 për qind i ruajnë kursimet jashtë bankave në ambientët ku banojnë dhe 2 % e tyre i kanë dhënë hua duke investuar në formën e fajdeve jashtë sistemit bankar.

Nga 1200 familjet e pyetura, 39 për qind e tyre nuk kishin asnjë lloj kursimi. Por vetëm 40 për qind e familjeve kanë llogari bankare, teksa pjesa tjetër i kanë investuar asetët financiare në fondet e pensionit, kompanitë sigurimit dhe bonot e thesarit ndonëse me përqindje shumë të vogla.

Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë së fundmi një nisme për reformimin e sistemit të pagesave me vlerë të vogël për ta çuar atë drejt dixhitalizimit.  

Sipas burimeve zyrtare ne BSH kjo reformë synon për të rritur numrin e popullsisë që zotëron një llogari bankare nga 38% që ishte në matjen e fundit në 70% në vitin 2022.

Sipas Bankës Qendrore, qëllimi i i strategjisë është përmirësimet në tregun e pagesave me vlerë të vogël t’u japin qytetarëve më shumë zgjedhje, në sa më shumë vende, për kryerjen e transaksioneve të tyre të përditshme, në një mënyrë të përshtatshme dhe me kosto efektive, në mbështetje edhe të objektivit të përfshirjes më të gjerë financiare.

Në strategjinë kombëtare, synohet që nëpërmjet zhvillimeve ligjore, rregullative, si dhe atyre infrastrukturore të zgjerohet përfshirja financiare në Shqipëri e cila paraqitet aktualisht mjaft e ulët në Shqipëri (rreth 40%) krahasuar me vendet e tjera të rajonit ku ky tregues arrin edhe në nivelin 70%, si dhe nxitja e përdorimit të instrumenteve të pagesave në ekonominë shqiptare.

Do të krijohet një platforme kombëtare për procesimin e pagesave me kartë, e cila pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në reduktimin e kostove të larta e përmirësimin e praktikave aktuale të procesimit të kartave, si rrjedhojë e cikleve të tejzgjatura dhe përfshirjes së shumë aktorëve në proces, duke ndikuar kështu në zgjerimin e rrjeteve te POS nga tregtarët të cilët mbartin kostot kryesore nga pagesat me kartë. Një platformë e tillë, mbështet dhe zhvillimin e shërbimeve inovative si pagesat me celular dhe e-ëallet me kosto të ulëta.

Do të përmirësohen zhvillimet infrastruturore për zgjerimin e përdorimit të transfertave elektronike kryesisht me celular edhe për pagesa të kryera në përditshmërinë e qytetarëve nëpërmjet krijimit të pagesave në kohë reale (Instant payment ).

Bankat do të nxiten dhe do të mbështeten që të operojnë edhe nëpërmjet agjentëve me qëllim nxitjen e përfshirjes financiare./Monitor


TË NGJASHME