HomePolitikë

Soreca: Opozita duhet të dialogojë me qeverinë

Ambasadori i delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, i ftuar në intervistën e mbrëmjes në RTV Ora  foli mbi krizën politike në Shqipëri.

Ai deklaroi se kriza e tanishme është një cikël që tashmë duhet të thyhet. Madje shton se respekton djegien mandateve të opozitës, por thekson se duhet të pranojë dhe dialogun me qeverinë.

Edhe një herë Ambasadori kërkon që partitë të bëhen pjesë e zgjedhjeve pasi në këtë mënyrë respektohet vota e shqiptarëve.

Soreca është pyetur dhe mbi protestën që do të zhvillohet nga opozita për të cilën shpreson se do të jetë paqësore.

Megjithatë në këtë situatë shpresat e BE duket se janë drejtuar te rinia.

Madje Ambasadori u bën thirrje të rinjve të mos largohen nga vendi por të kontribuojnë duke u bërë pjesë e rritjes ekonomike dhe të zhvillimit të politikës.

Më poshtë intervista e plotë e Ambasadorit të BE, Luigi Soreca dhënë për drejtoren e Informacionit të RTV Ora Beti Njuma

Beti Njuma: Keni 8 muaj që keni mbërritur në Shqipëri, si po e ndjeni veten këtu? Është një vend i çuditshme, një vend i mërzitshëm, me sherre politike? Ju pëlqen Shqipëria?

Luigi Soreca: Së pari me lejoni tju falenderoj që më me keni ftuar. Këto 8 muaj kanë qenë mjaft interesante, shumë interesante. Më kanë rrëmbyer qytetarët e Shqipërisë, në kuptimin e mbresave që më kanë lënë dhe e kam kuptuar se çfarë potenciali të madh ka ky vend, në veçanti të rinjtë. Të rinjtë e Shqipërisë kanë një të ardhme në Shqipëri dhe e e ardhmja e tyre duhet bërë gati dhe duhet ruajtur për ta. Kjo është arsye se pse javën e Evropës ne këtë vit e përqëndruam te fuqia apo forca e rinisë.

Natyrisht, unë merrem edhe me situatën politike dhe që prej shkurtit është një situatë e paprecedentë për vendin. Është e rëndësishme për mua që të vazhdoj të kem hapur kanalin e komunikimit me të gjitha partitë politike. Ky ka qenë objektivi im kryesor që prej krizës politike, në mënyrë që të kem mundësi që të flas me qeverinë, e cila është homologia e natyrshme e institucionit tim. Po ashtu shpenzim i të njëjtës kohë edhe gjatë bashkëbisedimeve me partitë e opozitës jashtë apo brenda parlamentit, në mënyrë që të gjenim një terren të përbashkët ose që të ndihmonim që të gjendej ky terren i përbashkët për një zgjidhje të mundshme për këtë situatë politike të momentit.

Dialogu para zgjedhjeve, Soreca: BE gjithnjë ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë

Beti Njuma: Cila do të ishte një zgjidhje e mundshme politike për të zgjidhur krizën në të cilën jemi futur? Ju keni deklaruar edhe në daljet publike që nuk do ta negocioni atë krizë, atë le ta zgjidhin palët.

Luigi Soreca: Dy gjëra kam për të thënë. Së pari BE gjithnjë ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë që prej rënies së komunizmit. Hapja e zyrës së parë të BE ka qenë që në fillim të viteve 90. Ne kemi qenë të përkushtuar dhe vazhdojmë të jemi të përkushtuar për të luajtur një rol të rëndësishëm në Shqipëri. Në të njëjtën kohë është e rëndësishme që sistemi politike shqiptar të kuptojë që kriza e tanishme është një cikël që duhet të thyhet, pra ka nevojë që partitë politike të gjejnë hapësirën përkompromis. Hapësira për kompromis është koha që të gjendet nëpërmjet palëve apo partive vetë. Ne jemi këtu për të ndihmuar, siç në fakt e kemi bërë edhe gjatë kësaj krize. Unë jam përpjekur që të kontaktoj me të gjitha palët, me qeverinë, opozitën, parti të vogla, parti të mëdha në opozitë. Por mendoj që në fund të fundit zgjidhja duhet të gjendet nga vetë të dyja palët e spektrit politik në Shqipëri. Ne do të vazhdojmë të japim mbështetjen tonë, por mendojmë që duhet të kalohet tek ajo urë, më shpejt sesa më vonë pasi është në interes të qytetarëve shqiptarë, të cilët me padurim presin vazhdimësinë e procesit të integrimit evropian dhe ky është interesi më i lartë dhe më i rëndësishëm i mundshëm.

Beti Njuma: Në takimet që keni zhvilluar me kreun e mazhorancës dhe me kreun e opozitës, çfarë këshilli i keni dhënë, pasi duket sikur ka një vendosmëri të kryeministrit Rama për të shkuar në zgjedhjet e 30 qershorit, ashtu sikurse edhe opozita është e vendosur që të mos ketë zgjedhje në 30 qershor madje t’i prishë ato?

Luigi Soreca: Në takimet me qeverinë ne kemi një rend ditë apo agjendë dhe ajo agjendë është agjenda e integrimit evropian. Kështu që për mua objektivi më i rëndësishëm kur takohem qoftë me kryeministrin apo me ministrat është që t’i inkurajoj dhe t’i ftoj të bëjnë çfarëdo lloj gjëje që është e domosdoshme dhe e nevojshme për këtë agjendë të integrimit evropiane, e cila vlerësohet nga Komisioni Evropian dhe më pas nga shtetet anëtare. Por që të bëhen edhe të gjitha përpjekjet e mundshme që të hapet dera ndaj opozitës, që opozita të dëgjohet, por edhe që të ftohen në dialog. Deri më tani nuk ka ndodhur kështu. Në takimet e mia me opozitën unë e kam bërë të qartë qëndrimin tonë, kështu që nuk do ta përsëris atë. Për atë të ashtuquajturën djegia e mandateve ne besojmë që partitë duhet të qëndrojnë në kuvend, por ne, BE respektojmë vendimin e partive kryesore të opozitës për tu larguar nga Kuvendi. Kjo është e drejta e tyre të cilën e kanë ushtuar. Por ka edhe një përgjegjësi të madhe, e cila vjen me të qenit e një partie kaq të madhe, që është reagimi apo përgjigjja ndaj nevojave të qytetarëve dhe zgjedhësve. Kështu që ftesa është që të bëhen propozime. Më  duhet të them se platforma e 10 pikave për zgjedhje të lira dhe të ndershme është një propozim legjitim që duhet vlerësuar, por në të njëjtën kohë dialogu duhet të ndodhë me qeverinë që është zgjedhur që është zgjedhur nga qytetarët shqiptarë. Kështu që kultura e kompromisit, dialogut e urës që duhet të kalohet, të gjitha këto fjalë janë një koncept i vetëm, që është që të dyja palët le të vazhdojnë të bisedojnë me njëra-tjetrën për interesin kolektiv dhe të përbashkët të qytetarëve shqiptarë.

Beti Njuma: Zoti Ambasador a do ti njihni zgjedhjet e 30 qershorit nëse zhvillohen pa opozitën, zonja Mogherini la të kuptohet se nuk do të ketë një kontestim ndërkombëtar?

Luigi Soreca: Është e qartë që ne na duhet të bëjmë një dallim ndërmjet ligjshmërisë teknike dhe vlerës politike të zgjedhjeve. Nga aspekti teknik zgjedhjet do të jenë të ligjshme, me pjesëmarrjen e atyre partive që janë regjistruar për zgjedhje. Në të njëjtën kohë, çfarë janë zgjedhjet e mira? Zgjedhjet e mira janë zgjedhje në të cilat zgjedhësit kanë zgjedhje, pra mund të zgjedhin mes partive të ndryshme. Prandaj ne i kemi bërë thirrje të gjitha partive politike që të marrin pjesë në zgjedhje. Ne respektojmë vendimin e partive kryesore të opozitës që të mos marrin pjesë në zgjedhje dhe kjo është e drejta e tyre, është një zgjedhje e vështirë, unë e respektoj. Ne nuk biem dakord për këtë gjë pasi ne besojmë që të gjitha partitë duhet të marrin pjesë në zgjedhje në mënyrë  që të respektohet jo vetëm vota, por edhe zgjedhësit dhe e drejta e tyre. Kjo është zgjedhja e tyre dhe ne shpresojmë që zgjedhjet do të kryhen në një mënyrë të duhur dhe pa ndonjë vepër frikësimi dhe në rast se partitë do të bien dakord përpara zgjedhjeve unë mendoj që ne natyrisht do ta mbështesim këtë gjë në një mënyrë që respekton interesin e të dyja palëve. Pra ne respektojmë si mazhorancën dhe opozitën. 

Marrëveshje e minutës së fundit për krizën? Soreca: Koha po përfundon, shpresoj të përdoret

Beti Njuma: Mendoni, besoni, shpresoni se do të një kompromis të minutave të fundit mes mazhorancës dhe opozitës?

Luigi Soreca: Fundi i kësaj jave është një afat i rëndësishëm kohor për platformën nga opozita, për prezantimin e saj. Ju e dini që nesër do të ketë një protestë të organizuar nga partitë e opozitës. Koha po përfundon. Së shpejti do të nisë fushata zgjedhore, kështu që koha e mbetur është shumë e shkurtër. Unë shpresoj që ajo do të përdoret, në rast se nuk do të shfrytëzohet ne do të shohim që do të kemi një fushatë zgjedhore, shpresojmë që ajo do të jetë e paqme dhe që të kemi zgjedhje. Natyrisht që aktorët politik në Shqipëri do të duhet të përballen me të dyja palët. Pra përgjegjësia e zgjedhjeve, të cilat nuk janë të mira nga këndvështrimi politik, pasi siç e thashë zgjedhje të mira janë ato në të cilat zgjedhësit kanë zgjedhje, pra të mund të zgjedhin. Ne do të vazhdojmë në këto ditë, në këto orë që të ftojmë të gjitha partitë që të marrin pjesë në zgjedhje. Ne bëjmë diskutime dhe bashkëbisedime me të gjitha palët dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë deri në minutën e fundit.

Beti Njuma: Zoti Basha deklaroi që do të bllokojë këto zgjedhje. Një nga opsionet është ti bëjë thirrje zgjedhësve të mos dalin në votime. Gjithashtu ka deklaruar dhe rezistencë lagje më lagje dhe kuti më kuti, pra do të përdoren dhe mënyra të tjera të bllokimit të zgjedhjeve në të gjitha qendrat e votimit. Ky është skenari më i errët.

Luigi Soreca: E kam dëgjuar këtë deklaratë dhe vërtet shpresoj që zgjedhjet të kryhen në mënyrën e duhur dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare. Së bashku me OSBE/ ODIHR po diskutojmë mënyrën e monitorimit dhe të vëzhgimit. Thirrja që unë bëj është kundrejt të gjitha partive politike të mendohen mirë për përgjegjësitë e tyre. Përgjegjësitë që ata kanë kundrejt zgjedhësve për pjesëmarrje nëse merret vendimi për të mos marrë pjesë që të respektohet e drejta e të gjithë zgjedhësve që duan të votojnë. Për këtë arsye ata të lejohen të shprehin të drejtën kushtetuese për të votuar.

Soreca: Shitblerja e votës mund ta ndalohet edhe pa ndryshuar kodin zgjedhor

Beti Njuma: A e mbështet BE kërkesën që ka bërë opozita, dhe zoti Basha për hetim të shitblerjes së votës.  Ka dy dosje që qëndrojnë në prokurori prej kohësh, 339 dhe 184.

Luigi Soreca: Janë shifra të famshme në Shqipëri. Është e rëndësishme sepse shitblerja e votës është në vetvete shumë negative dhe është një nga rekomandimet kryesore të OSBE/ODIHR. Zbatimi i tyre është një element shumë i rëndësishëm i vlerësimit që do të bëjë KE në fund të këtij muaji. Shitblerja e votës duhet të shmanget dhe nëse identifikohet duhet të ndiqet në vetvete. Ne e kemi ftuar qeverinë të bëjë cfarëdolloj gjëje që ka në dorën  e vet, që mund të bëhet, edhe pandryshuar përshembull Kodin e tanishëm zgjedhor që të zbatohen rekomandimet e OSBE/ ODIHR për shitblerjen e votës si për zgjedhjet vendore por dhe zgjedhjet e ardhshme.

Shitblerja e votës shkon kundër konceptit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe çdo lloj përpjekje duhet bërë nga të gjithë që të shmanget shitblerja e votës.

Soreca për protestën e opozitës: Shpresoj të jetë e paqme dhe të nxirren mësime

Beti Njuma:  Jemi 24 orë larg nga protesta e opozitës që do të mbahet nesër. Cfarë prisni nga kjo protestë dhe çfarë thirrje do ti bënit opozitës?

Luigi Soreca: Së pari dua të them që respektoj të drejtën e qytetarëve për të shprehur vullnetin e tyre në mënyrë të lirë. Për këtë arsye uroj atyre që duan të shprehin qëndrimin e tyre nesër, shpresoj ta bëjnë në një mënyrë të duhur dhe të paqme. Këtë e kam ritheksuar shumë herë përpara protestave të rëndësishme.
Është e rëndësishme që opozita të shprehë pakënaqësinë e saj, por shpresoj shumë që kjo protestë të mbesë tek kufijtë e të paqmes dhe disa mësime të nxirren nga ato gjëra që do të mund të ndodhin nesër dhe të ketë një reflektim për të menduar se afatet kohore po kalojnë dhe që zgjedhësit që i qëndrojnë afër partive politike të merren në konsideratë në lidhje me zgjedhjet që do të ndodhin për një muaj e gjysmë.

Beti Njuma: Zoti ambasador keni vlerësuar me nota shumë pozitive reformën në drejtësi por cfarë mund të themi për reformën zgjedhore. Cfarë reforme do të jetë ajo kur partitë kryesore të opozitës nuk janë pjesë e saj.

Luigi Soreca:  Kur ne flasim për reformë zgjedhore sa i takon BE,  psh vjet Këshilli i BE i kërkoi Shqipërisë të zbatojë plotësisht rekomandimet e OSBE/ ODIHR.Këto rekomandime mund të zbatohen edhe pa pasur ndryshime legjislative. Disa elementë kanë nevojë për ndryshim të legjislacionit dhe ne e mirëpresim faktin që kemi një komision ad-hock por ka edhe disa rekomandime që qeveria mund ti vërë në zbatim sipas kompetencave të veta, prandaj ne i bëjmë thirrje qeverisë që të zbatojë këto rekomandime me urgjencë. Sidomos ato që kanë të bëjnë me shitblerjen e votës dhe financimin e partive politike. Është bërë një premtim dhe ne po presim diçka në lidhje me të. Ne mendojmë që zgjedhjet vendore që do të ndodhin një muaj e gjysmë më pas do të duhet të jenë rreptësisht në përputhje me rekomandimet që janë bërë dhe ne disa era i bëjmë thirrje qeverisë për këtë gjë. Ndërsa për zgjedhjet parlamentare presim një paketë më të gjerë ndryshimesh. Ndryshime legjislative si breda Kuvendit, por edhe rekomandimet e tjera që duhen zbatuar, deriatëherë besoj që për mendimin tonë do të jetë një platformë për zgjedhje të lira e të ndershme.

Shpresojmë sinqerisht që partitë opozitare si jashtë dhe brenda Kuvendit të marrin pjesë në përgatitjen e zgjedhjeve të ardhshme që ndodhen. Zgjedhjet janë momenti më i rëndësishëm i një demokracie. Çdo demokraci përbëhet nga maxhoranca dhe opozita. Ne duam të shikojmë Shqipërinë si një vend plotësisht demokratik prandaj punojmë me të dyja palët që të arrihet ky objektiv.

Dëgjoni rininë, Soreca: Të qëndrojnë në Shqipëri, të kontribuojnë për vendin

Beti Njuma: Kjo javë që po mbyllet ka qenë e rëndësishme dhe e ngarkuar pune ishte Java e Europës. Ju keni zhvilluar aktivitete të ndryshme ku në qendër ishte rinia. Keni prezantuar edhe një sondazh ku tregohet mbështetja jashtëzakonisht e madhe, megjithatë të rinjtë vazhdojnë të largohen. Dyert e Europës vazhdojnë të mbeten të mbyllura për shqiptarët.

Luigi Soreca: Jam vërtet i kënaqur që po më bëni një pyetje për javën e Europës. Forca e Rinisë ka qenë imazhi që kemi përdorur për javën e europës së këtij viti. Kemi pasur më shumë se 30 aktivitete në të gjithë vendin gjatë kësaj jave. Jemi pothuajse në fund të kësaj jave. Sot do të kemi atë që e quajmë “Fshati i BE” dje jam kënaqur që së bashku me kolegët e mi ambasadorë jemi takuar me më shumë se 200 të rinj të organizatave rinore dhe kemi dëgjuar zërin e tyre. Mbrëmë kemi pasur edhe 800 vetë që kanë marrë pjesë tek pritja që organizoi BE në Pallatin e Brigadave për Ditën e Europës. Me praninë e presidentit, kryeministrit, kryetarit të kuvendit por dhe partitë opozita.e

Aty kemi pasur shumë të rinj që më kanë dëgjuar mua dhe kolegët e mi ambasadorë që kemi thënë që të rinjtë duhet të dëgjohen dhe duhet të bëhen pjesë e vendimmarrjes.

Për t’iu përgjigjur pjesës së dytë të pyetjes: Duke u thënë të rinjve mos u largoni nga Shqipëria. Pasi ata mendojnë se nuk dëgjohen dhe ata po bëjnë thirrje të dëgjohen. Kjo nuk duhet të jetë një thirrje e humbur. Ata duan të marrin pjesë, të dëgjohen dhe çështjet e rinisë të jenë pjesë e axhendës politike. Dje shpresoj që fjalimi që kam dhënë në praninë e autoriteteve më të rëndësishme të vendit gjatë pritjes që kemi pasur dhe përpara institucioneve të pavarura është dëgjuar dhe ne do të kemi një dialog të strukturuar në bashkëpunim me autoritetet. Ne do të prezantojmë dhe lancojmë këtë dialog dhe do të ftojmë organizatat rinore që të marrin pjesë në aktivitetet tona si në pjesën vendore ashtu dhe qëndrore.

Ju përmendët dhe sondazhin. Është e vërtetë që kemi bërë publike perceptimin e qytetarëve shqiptarë për BE. Por ky sondazh nuk është kryer nga BE por nga një organizatë, apo agjenci e pavarur. Të gjithë mund ta gjejnë në faqen e internetit të delegacionit BE. Metodologjia dhe personat që e kanë kryer sondazhin është publike. Ajo që është e rëndësishme është se shqiptarët vazhdojnë të jenë më proeruopianët në rajon, madje më lejoni të them në të gjithë BE. Kjo është vërtet një gjë që duhet shprehur qartë dhe të mos harrohet.         

Ne po ashtu besojmë që 88 % e qytetarëve shqiptarë mendojnë që jeta e tyre do të përmirësohet shumë nga anëtarësimi në BE. Kjo na vendos edhe ne si BE në një pozicion sipas të cilit duhet të japim rezultatet tona. Pra KE së shpejti do të japë raportin e vet për vitin 2019 dhe unë shpresoj por kam dhe besim që do të tregojmë se kush jemi dhe do ta kalojmë topin tek Këshilli.  

Negociatat, Ambasadori Soreca: Topi te Këshilli Europian, shpresojmë për një lajm të mirë

Beti Njuma: Duket sikur këta të rinj, por edhe qytetarët e Shqipërisë ata që jetojnë dhe punojnë me ndershmëri, po paguajnë haraçin e një klase politike  grindavece, një klase politike që sa herë ka rotacion pushteti bën akuza për kundërshtarin politik për krim, korrupsion, për shitblerje vote, për kanabizim të Shqipërisë. Edhe sa kohë do të duam ta paguajmë këtë haraç? Kur do të çelen negociatat për Shqipërinë?

Luigi Soreca: Ishte shumë interesante, gjatë takimit dje me të rinjtë tek Liceu “Jordan Misja” në Tiranë. Ata po flisnin për këtë haraç që po paguhet edhe unë i thash: ‘Ju keni çmim për të paguar për faktin që ende duke pritur për çeljen e negociatave, ju dëshironi që diçka të bëhet për ju me padurim’. Tani  në këtë moment edhe ne e duam këtë gjë, por sistemi politik edhe ai duhet të ndihmojë, që ky çmim apo haraç të jetë sa më i ulët që të jetë e mundur. Prandaj ne shpenzojmë kaq shumë nga koha jonë duke u përpjekur, të bindim të gjithë spektrin politik për të dëgjuar zërin e të rinjve. Të dëgjojnë nevojat e tyre sepse në fund të fundit ata njerëz që unë takohem dita-ditës janë aq të zgjuar, pra këta të rinj. Ata janë shumë potencial i madh i këtij vendi. Ata meritojnë më të mirën e mundshme. Mendoj se në një vend ku 40% e popullsisë është nën moshën 30 vjeç, ana politike duhet ti dëgjojë dhe ti shikojë ata si e tashmja, e ardhmja e vendit, por edhe e ardhmja e BE-së. Edhe ne punojmë për të ardhmen e tyre.

Beti Njuma: Do të jetë muaji shtator stacioni i fundit, përpara se të nisim një rrugëtim të ri drejt BE-së?

Luigi Soreca: Besoj që ju i referoheni mundësisë së shtyrjes së vendimit. Ajo që mund të them është që Komisioni Europian në fund të këtij muaji do të publikojë raportin vjetor për Shqipërinë. Unë jam besimplotë që ashtu si e tha edhe Përfaqësuesja e Lartë dhe zëvendës Presidentja e Komisionit dhe Komisioneri Hahn e kanë thënë në mënyrë publike po ecën në drejtimin e duhur dhe po e them këtë në mënyrë diplomatike. Nuk dëshiroj të them diçka sepse në fund të fundit Komisioni ka për të marrë vendimin, por më pas është presidenca Rumune e Këshillit të BE-së që vendos edhe për substancën edhe për afatin kohor. Kështu që për momentin afati i takimit është qeshori 2019.Unë e kam dëgjuar, ju e keni dëgjuar që ka disa shtete të BE-së që kërkojnë pak më shumë kohë, pasi mendojnë që koha që nga fundi i muajit maj dhe deri në mes të qershorit, për të marrë në konsideratë raportin e KE-së nuk është e mjaftueshme, prandaj kërkojnë më shumë kohë për ta shqyrtuar atë. Nuk është marrë vendim për këtë gjë ende, kështu që unë respektoj institucionin dhe institucioni përgjegjës nuk e ka marrë këtë vendim. Në rast se ndodh shtyrja, diçka për të cilën ne nuk bëjmë thirrje, pasi mendojmë që Shqipëria ka pritur tashmë një vit të tërë për të marrë vendimin dhe vendimi duhet të merret në qershor. Por në rast se do të shtyhet vendimmarrja unë shpresoj fort që autoritetet shiptare do ta përdorin atë kohë për të vazhduar progresin e reformave. Ka disa fusha shumë të rëndësishme, në të cilat duhet përshpejtuar. Përshembull Gjykata Kushtetuese duhet të rifillojë, SPAK-u duhet të fillojë punën dhe zbatimi i rekomandimeve zgjedhore që do të merren parasysh. Ndaj shpresoj që koha nuk do të shpenzohet më kot.

Beti Njuma: Mogherini tha dy ditë më parë që ju detyrat i keni bërë, por mesazhi ishte që negociatat do të varen edhe nga zgjedhjet edhe nga vullneti i vendeve të tjera anëtare. Ju si mendoni?

Luigi Soreca: Së pari isha i nderuar që ne patëm  Frederica Mogherinin këtu në Tiranë për ditën e Europës. Ishte vërtet privilegj që ajo të ishte këtu në Tiranë. Por jo ishte këtu edhe për Samitin e Udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor në të cilin ajo mori pjesë dhe ishte një aktivitet me të vërtetë pozitiv. Mori pjesë ajo, por kam marrë pjesë edhe unë. Unë shpresoj shumë që Shqipëria pas këtij Samiti e ka treguar edhe një herë kontributin pozitiv ndaj rajonit. Mogherini tha që ajo pret një rekomandim pozitiv dhe unë jam tërësisht dakord me të dhe ajo sigurisht që do të zhgënjehet në rast se nuk ndodh kështu. Edhe unë do të zhgënjehesha, por ne duhet të respektojmë mënyrën se si është i organizuar Bashkimi Europian. Do të jenë shtetet anëtare që në qershor do të shprehin mendimin e tyre. Gjatë këtij viti në shumë fusha është bërë shumë, që ende duhet bërë punë dhe ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje qeverisë dhe institucioneve shqiptare që të vazhdojnë punën e tyre dhe le të shpresojmë që do të kemi lajm të mirë. 


TË NGJASHME