HomePolitikë

Sot mblidhet Asambleja e PS, ja çfarë do të diskutohet

Kryeministri dhe njëkohësisht kryetari i PS, Edi Rama do të mbajë një fjalim për çeljen e punimeve. Sipas njoftimit të PS për punimet e Asamblesë, pika e dytë menjëherë pas fjalimit të Ramës do të jetë analiza e zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit.

Analiza e zgjedhjeve të 30 qershorit është tema e parë që do të shqyrtohet sot në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste që pritet të mblidhet në orën 16:00.

Në deklaratat e deri tanishme, kryeministri dhe përfaqësues të PS kanë thënë se ka patur një rritje të numrit të votuesve për partinë socialiste. Ndër të tjera kryeministri ka thënë se rezultati i 30 qershorit është një përgjegjësi e shtuar për PS tashmë që drejton të gjitha bashkitë e vendit.

Një tjetër pikë me interes është shqyrtimi dhe miratimi i Projekt-Vendimit “Për organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme në parti”. Një nga akuzat kryesore me të cilën është përballur kryeministri është zhvillimi i zgjedhjeve brenda partisë. Deri tani ende nuk ka informacione nëse Rama do të ketë “kundërshtarë” në zgjedhjet për kryetar të PS apo thjesht do të rikonfirmohet për një mandat tjetër.

Rendi i ditës së Asamblesë së PS:

  1. Fjala e Kryetarit të PS, Edi RAMA.
  2. Analizë mbi rezultatet e zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit 2019.
  3. Shqyrtimi dhe miratimi i Projekt-Vendimit “Per organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme në parti”.
  4. Shqyrtimi dhe miratimi i Projekt-Udhëzimit “Per Zgjedhjet e reja të përgjithshme në parti”.
  5. Shqyrtimi dhe miratimi i Projekt-Udhëzimit “Për kriteret përzgjedhëse për delegatet e kongresit, kryetaret e partisë të bashkive, kryetarët e KS të Nj.A dhe kryetaret e OS.
  6. Të ndryshme.

TË NGJASHME