HomeSport

Sot në “Selman Stërmasi”, qershia mbi tortë e kësaj jave

Mbrëmjen e sotme do të luhet ndeshja e fundit e javës së 10 të Kategorisë Superiore, një takim që do të përballë kryesuesit e kampionatit, Partizanin, dhe ndjekësin e tyre, Skëndërbeun.

Janë të mëdha pritshmëritë e kësaj ndeshjeje në aspektin sportiv, pasi bëhet fjalë për dy nga skuadrat më në formë të fazës së parë të këtij sezoni. Të kuqtë e drejtuar nga Skënder Gega kanë treguar një vazhdimësi loje dhe rezultatesh, pa shumë bujë. Megjithatë, për të mbajtur kryesimimin e kampionatit deri në këtë javë kanë kontribuar thuajse të gjithë lojtarët e Partizanit me golat e tyre, por edhe reparti i prapavijës me mbrojtjen më të mirë të kampionatit, tregon shumë për balancat e kësaj skuadre.

Me një fitore më pak dhe një barazim më tepër, Skënderbeu i Orges Shehit e ndjek me dy pikë diferencë Partizanin deri në prag të kësaj jave të 10. Humbjen e vetme të kuqve ia ka shkaktuar pikërisht skuadra kampione në fuqi, me një penallti në ndeshjen hapëse të sezonit, një takim që e humbi sensin dhe vëmendjen sportive për shkak të ngjarjeve të ndodhura me tifozët.

Edhe për këtë takim Shehi pritet të mbetet me skemën sulmuese 4-3-3, ku dyshja Gripshi-Bregu do të jenë dhe pikat e referimit, në mbështetje të Oto Xhon apo Krasniqit që udhëheq sulmin.

Përtej statistikave, ndeshja Partizani-Skëndërbeu pritet të jetë qershia mbi tortë e kësaj jave të kampionatit, për shkak të rivalitetit të madh që kanë të dyja ekipet brenda dhe jashtë fushe. Gjithçka do të zhvillohet në stadiumin “Selman Stërmasi”, duke filluar nga ora 19:00 dhe do të trasmetohet drejtpërdrejtë dhe ekskluzivisht në Super Sport.


TË NGJASHME