HomeSport

Spanjollja “AS”, plas “bombën”: Neymar ose Mbappe transferohet në Madrid

E përditshmja spanjolle “AS“, njihet për afrimitetin që ka me klubin spanjoll Real Madrid. Së fundmi në një artikull të saj, është shkruar rreth merkatos së kësaj vere dhe super lajmi është se Neymar ose Mbappe pritet të transferohen në Madrid. Një lajm bombë sa i përket kësaj merkatoje dhe kur bëhet fjalë për dy nga futbollistët më të mirë, por edhe më të shtrenjtë të momentit. Megjithatë në top listën e Florentino Perez, qëndrojnë pikërisht këta dy lojtarë dhe deri tani i preferuari është francezi Mbappe.

Sipas asaj çka raportohet nga “AS”, deklaratat e fundit të Mbappë, ku në një farë mënyre “kërcënonte” me largim nëse nuk merrte më shumë përgjegjësi te PSG, kanë bërë që madrilenët të ndezin shpresat për një transferim të mundshëm. Madje kjo gjë ka bërë që emisarët e klubit të tërhiqen edhe nga tratativat e fshehta që zhvillonin prej muajsh me babain-menaxher të Neymar. Braziliani, mbetet një dëshirë e madhe, por tani të gjithë janë përqëndruar te francezi Mbappe.

Në fakt, Mbappe ka edhe disa cilësi që e bëjnë më të dashur se sa opsioni Neymar: mosha e re dhe talenti i padiskutueshëm janë cilësitë me të cilat Mbappe ka spikatur, por edhe fakti që francezi nuk ka luajtur kurrë për Barcelonën, është një plus i madh. Kartoni i Mbappe vlerësohet plot 280 milionë euro, një shifër pak a shumë e njëjtë si kartoni i brazilianit. Ndoshta mund të duket si një shpenzim i çmendur, por blerja e njërit prej tyre do të ishte një qetësim i madh edhe për të fizët që kanë mbetur të zhgënjyer pas një sezoni për tu harruar të Real Madrid.


TË NGJASHME