HomeSociale

Specialistja e Inxhinierisë: Ja zonat më të rrezikuara nga tërmetet në Shqipëri, si të veprojmë kur ka lëkundje

Specialistja e Inxhinierisë Luljeta Bozo e ftuar në “News 24” tha se janë bërë gabime edhe në ndërtime duke treguar cilat janë zonat më problematike dhe më të rrezikuara në raste tërmetesh.

“Janë disa gabime. Për të ndërtuar mund të ndërtosh ku të duash, por studimet sizmologjike rekomandojnë që prsh një truall që është i dobët ka rrezik më të lartë se një truall në kodër. Zonat kënetore dhe zonat me pluhur ose nivel të lartë të ujërave nëntokësorë janë më të rrezikshme. Ata godina që janë shembur ishin afër kënatave ose zonat si ajo e Urës s Dajlanit, ku ka shumë depozitime të rrezikshme. Edhe shtesat e kateve duhet bërë me anë të llogaritjeve që bëhen nga inxhinierë ndërtimi e jo nga njerëzit vetë. Ka rregulla edhe për kolonat. Shpesh ne nuk i respektojmë fare këto rregulla.”, tha Bozo.

Specialistja e Inxhinierisë  u shpreh se tërmeti 6.5 ballë Righter që tronditi vendin natën e 26 tetorit ishte i fortë. Ajo tha se tërmeti nuk ishte ndonjë çudi e madhe nga ana e saj, pasi tërmete të fuqishme pritet të ndodhin në periudha që janë shpesh herë disa dekada.

“Unë në fakt isha vetëm në shtëpi. Nuk ishte diçka që nuk pritej. E dija që ishte një periudhë që ishte akumuluar. Ka një periudhë akumulimi dhe shpërthimi. Tërmeti nuk parashikohet, por duke parë studime e duke parë sesi kanë ndodhur tërmetet në vend, është hedhur ideja se nga 1979 nuk kishte tërmet të fortë e ndaj pritej një goditje e tillë. Ne jemi në Brezin e Mesdheut. Kur çlirohet energjia, pllakat lëvizin, përplasen ose largohen. Tërmetet shumë të fuqishme ndodhin në periudha që janë të largëta”, tha Bozo.

Bozo dha rekomandime sesi njerëzit të veprojnë sapo bie një tërmet.

“Unë do iu thosha njerëzve që fillimisht mos të lëvizin fare. Aq është goditja, pastaj fillojnë pas-goditjet. Po arrite te dera, hape derën që të kesh mundësi të dalësh. Pasi mbaron goditja e parë, shih njëherë çfarë është çarë ose jo dhe pastaj dil përjashta direkt. Nëse ka çarje të thellë, mos u fut, pa ftuar specialist. Nëse ka dëmtim, atëherë një problem e ka shtëpia”, deklaroi ajo./BW


TË NGJASHME