HomeUdhëtime

Sportet në dëborë/ Aktivitet për të gjithë familjen gjatë një fundjave në mal

Për adhuruesit e malit, të cilët nuk duan të përdorin teleferikun, që i shpie drejt majës, ku mund të rrëshqasin me ski, ka një sere mundësish të tjera për ta shijuar dëborën dhe natyrën në dimër.

Snowshoes

Njëherë e një kohë ishin domosdoshmëri për të lëvizur në mot me dëborë, por sot janë zbuluar pajisje për aktivitetin fizik “slow”, që është bërë shumë i njohur ndër ekskursionistë, pasi përfaqëson versionin dimëror të trekking, por në një mënyrë më të lehtë për të shijuar malin dhe kontaktin me natyrën në dimër.

PAJISJET

Vishen këpucë dëbore ose këpucë të posaçme dhe më pas lidhen “snowshoes”-ët, të cilat ju ndihmojnë të ecni mbi dëborë dhe të mos rrëshqisni në akull. Për të lehtësuar ecjen, përdoren dy shkopinj mbajtës, si ata të skive. Nuk duhet të harroni veshjen e dëborës, dorezat, kapelën, syzet e diellit dhe mbrojtësin me filtër UV.

PËRFITIMET FIZIKE

Ky është një aktivitet aerobik me intensitet të ulët, por që ju ndihmon të harxhoni më shumë energji se ecja, edhe për shkak të temperaturave të ulëta: për një orë ecje në dëborë, me shpejtësi rreth 4 km/orë dhe në një reliev kodrinor, mund të digjen rreth 1000 kalori. Ky lloj aktiviteti bën shumë mirë për zemrën dhe vë në lëvizje gjithë muskujt kryesorë, duke mbledhur siluetën tuaj.

PËR KË REKOMANDOHET

Ky lloj sporti rekomandohet për këdo që është i shëndetshëm, por do të ishte mirë që të stërviteni pak paraprakisht për ecje.

KU DHE KUR

Rrugët më të përshtatshme janë shtigjet e shkelura dhe rrugët pyjore pa të përpjeta e të tatëpjeta të thepisura. Nëse terreni ka tabela dhe ndriçim, mund të praktikoheni edhe në darkë.

Trekk-ing dimëror

Në gjermanisht quhet “winterwanderweg” dhe është një aktivitet mjaft i përhapur në vendet alpine të Zvicrës, Austrisë dhe Italisë dhe zhvillohet në shtigje të krijuara enkas për këto lloj ecjesh, madje pa vendosur as “snowshoes”, por vetëm me këpucë trekking-u. Gjithashtu, në dëborë praktikohet edhe ecja nordike, gjatë së cilës përdoren disa shkopinj të lehtë, për të lëvizur ritmikisht krahët dhe këmbët.

SLITA – SHPEJTËSI DHE ZBAVITJE

Zbritja me slitë ose BOB-i është aktivitet tipik dimëror, i cili është kthyer në tendencë vitet e fundit, si një alternativë shumë e mirë e skive.

PAJISJET

Është shumë e rëndësishme veshja e dëborës, ndërsa për sa i përket slitës ka shumë modele, si në shitje ashtu edhe me qira, duke nisur që nga më të thjeshtat, njëvendëshet, me material plastic të lehtë dhe rezistent, e deri tek ato për gara, dyvendëshe, me forma aerodinamike, me timon, frena dhe sistem diferencial për të ruajtur shpejtësinë edhe në kthesa. Disa janë të pajisura me ndenjëse dhe mbështetëse të veshura, për më shumë rehati, mbrojtëse anësore dhe rrip sigurimi, me lëshim të shpejtë, për të shmangur rëniet e rrezikshme.

PËRFITIMET FIZIKE

Slita ose BOB-i, vë në lëvizje muskujt e gjithë trupit, duke filluar nga abdominalet, muskujt e shpinës, qafës dhe këmbëve. Kërkon më pak energji se aktivitetet e tjera në dëborë (djeg rreth 300-500 kalori në orë), por ngjitja e shpateve pas çdo rrëshqitjeje, sjell përfitime për sistemin kardiovaskular, rrit rezistencën, përshpejton metabolizmin dhe stimulon prodhimin e qelizave të kuqe (për të kompensuar mungesën e oksigjenit në lartësi.)

PËR KË REKOMANDOHET

Pikësëpari, është një aktivitet zbavitës për të gjithë, fëmijë dhe të rritur. Nuk paraqet rrezik për dëmtime: rreziku më i madh vjen si pasojë e rrëzimit, por pasojat serioze mund të shmangen nga mbrojtëset (sidomos kokorja). Në çdo rast duhen reflekse të shpejta dhe optimizëm.

KU DHE KUR

Për arsye sigurie, përdorimi i BOB-it dhe slitave është i ndaluar në pistat e skive, por ka disa shtigje ose zona të dedikuara për to, madje në disa raste, ato qëndrojnë të hapura dhe të ndriçuara edhe gjatë natës.

Për më shumë adrenaline Gomonet e dëbores

Në vend të slitës dhe BOB-it mund të provoni të rrëshqisni me snow tubing ose airboarding, që nuk janë gjë tjetër veçse gomone me ngjyra të ndryshme, një-ose disavendëshe, të cilat kanë më pak forcë fërkimi se slitat dhe, si rrjedhojë, shpejtësi më të madhe. Rrëshqitja me gomone bëhet në pista të posaçme në formë kanali, me dëborë të ngjeshur dhe mure të larta, që lejojnë të ktheheni pa dalë nga pista. Mjafton të uleni në to dhe të shijoni rrëshqitjen.

Airboarding është më pak i përhapur dhe mund të shtriheni barkas në gomone. Megjithatë, kjo pajisje kërkon zbatimin e disa rregullave për të shmangur aksidentet.

PAJISJET

Patinat me thika kanë formë gjysmëçizmesh, për të mbrojtur kyçet. Është e rëndësishme të vishni rroba të ngrohta, por jo shumë, të pajiseni me kokore dhe doreza.

PËRFITIMET FIZIKE

Ky lloj aktiviteti tonifikon grupe të ndryshme muskujsh (të pasmet, këmbët, barkun, shpinën dhe krahët), përmirëson funksionin e aparatit kardiorespirator dhe djeg rreth 250-350 kalori në orë. Ndihmon të keni një trup të lidhur dhe përmirëson kapacitetin psikomotor dhe ekuilibrin.

PËR KË REKOMANDOHET

Është një aktivitet i përshtatshëm për fëmijë dhe të rritur, por nuk këshillohet për ata që mund të kenë pësuar dëmtime në artikulacione, si shkak i ndonjë rrëzimi. Për këtë, është shumë e rëndësishme që para dhe pas aktivitetit të bëhet nxemja.

KU DHE KUR

Kudo ku ka pista të hapura ose të mbyllura enkas për patinazh. Kujdes: mos i besoni asnjëherë sipërfaqeve të ngrira të liqeneve, vetëm nëse kanë tabela paralajmëruese dhe sugjerohen nga njerëz të specializuar. Nuk mund të vendosni me sy për trashësinë e mjaftueshme të akullit për të mbajtur peshën e patinatorëve.

Biçikletë me goma të trasha

Të apasionuarit e çiklizmit mund ta praktikojnë këtë lloj sporti edhe në lartësi dhe shtigje të mbuluara me dëborë.

PAJISJET

Përdoren biçikleta të veçanta që quhen Fat Bike, të cilat kanë goma shumë më të gjera se tradicionalet dhe janë të përshtatshme për terrene të vështira.

PËRFITIMET FIZIKE

Tonifikon muskujt e këmbëve, të pasmet dhe pjesën e sipërme, duke zhvilluar force dhe rezistencë, pasi këto biçikleta janë të rënda, por edhe terreni ku përdoren është i vështirë. Gjatë shëtitjeve 90-minutëshe digjen deri në 1000 kalori.

PËR KË REKOMANDOHET

Është ideale për të gjithë ata që praktikojnë çiklizmin, sidomos atë kodrinor dhe janë në kërkim të aventurave ekstreme.

KU DHE KUR

Me biçikletat me gomë të trashë mund të pedaloni në çdolloj terreni (borë, zhavorr, baltë) dhe kushtesh atmosferike.

Biçikletë me ski

Ka edhe mjete të tjera për të shëtitur me biçikletë në dëborë: ato janë biçikletat me ski në vend të rrotave (ski bike dhe snow bike). Përdoruesi mund të vendosë një palë ski të shkurtra te këmbët, shumë të domosdoshme, si për të kontrolluar shpejtësinë edhe për më shumë stabilitet. Këto sporte janë të përhapura në SHBA dhe në Itali.

Slita me qen

Kjo pajisje ka lindur në Alaskë si mjet transporti, por tashmë është kthyer në një sport të vërtetë. Këto slita që tërhiqen nga qentë e racës nordike, si haski siberian, mund të përdoren edhe në rrugë për slitë me rrota. Është aktiviteti ideal për ata që duan kafshët dhe natyrën. Në Itali tashmë ka shkolla të cilat organizojnë kurse dhe gara me këto lloj slitash, për distanca, mosha dhe nivele të ndryshme fizike. Alternativa më e thjeshtë dhe më ekonomike është DOG Trekking: një shëtitje në dëborë me qenin personal.

Patinazhi

Të bësh patinazh në akull është një aktivitet argëtues, të cilin mund ta bëni edhe në qytet, në ambient të mbyllur ose të hapur, në pistat e krijuara enkas për festa.


TË NGJASHME