HomeSport

Starton Superliga/ Fitojnë Tirana,Teuta e Skënderbeu

Pas shumë problemesh, te Skënderbeu ka një arsye për të buzëqeshur. Skuadra korçare ka arritur të triumfojë me vështirësi ndaj Flamurtarit me rezultatin 1-0. Fitorja u arrit në minutën e 95-të falë golit të shënuar nga Gripshi.

Nga ana tjetër, Tirana ka lëshuar një sinjal të fortë te të gjithë ekipet e Superligës duke konfirmuar ambicien për fitimin e titullit kampion. Në “Selman Stërmasi”, bardheblutë arritën të fitonin ndaj Luftëtarit me rezultatin 3-0. Dunga hapi serinë e golave për Tiranën, gola që u shoqëruan nga ata të Grent Halilit dhe Bathës, ky i fundit shënoi me 11 metërsh.

Me 3 pikë doli nga fusha e lojës edhe Teuta që në Niko Dovana të Durrësit mundi Bylisin me rezultatin 1-0. Ishte kapiteni Arapi që shënoi golin e fitores për durrsakët, ndërkohë që vlen të theksohet se Lorenco Vilës iu anulua një gol që do të ishte i dyti për Teutën, për shkak të një faulli të shkaktuar.

Vllaznia e nisi me këmbë të mbarë aventurën e saj në Kategorinë Superiore. E rikthyer pas një viti në Kategorinë e Parë, skuadra kuqeblu fitoi në ndeshjen e javës së parë ndaj Laçit me rezultatin 1-0 të zhvilluar në “Loro Boriçi” të Shkodrës. Heroi për Vllazninë u bë braziliani Hygor që në fundin e pjesës së parë të ndeshje shënoi me një gjuajtje nga distanca i ndihmuar edhe nga një devijim i një prej mbrojtësve të Laçit duke i dhënë mundësinë skuadrës shkodrane të marrë 3 pikët e para në këtë sezon të ri.


TË NGJASHME