HomePolitikë

Stoltenberg në Kongresin Amerikan: SHBA partneri kryesor i NATO-s

Këtë të mërkurë, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg foli para një sesioni të përbashkët të Kongresit Amerikan. Kjo deklaratë e Stoltenberg vjen një javë para një takimi të ministrave të jashtëm të aleancës, në Uashington. Ftesa për zotin Stoltenberg synon të tregojë mbështetjen dypartiake, që ekziston në Kongresin amerikan për NATO-n, ndërsa fjalimi mbahet me rastin e 70-vjetorit të Aleancës. Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg u prit në Kapitol me duartrokitje të gjata. Është hera e parë që një sekretar i përgjithshëm i Aleancës flet përpara dy dhomave të Kongresit amerikan. Sipas Stoltenberg, Nato, NATO-ja është jo vetëm aleanca më jetëgjatë, por edhe më e suksesshmja në histori. Zoti Stoltenbeg tha: “Që nga themelimi i NATO-s në vitin 1949, çdo Kongres, çdo president amerikan, burrat dhe gratë tuaja në uniformë dhe njerëzit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës  kanë qenë përkrahës të vendosur të NATO-s. Amerika ka qenë shtylla kurrizore e Aleancës sonë. Ajo ka qenë thelbësore për sigurinë evropiane dhe për lirinë tonë. Ne nuk do të kishim një Evropë paqësore dhe të begatë që shohim sot pa sakrificën dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara”. Ky fjalim i Sekretarit të Përgjithshëm, vjen një ditë pas takimit që pati me presidentin Donald Trump.Ndër temat e diskutuara në takimin në Shtëpinë e Bardhë, ishte edhe ndarja e barrës financiare mes anëtarëve të Aleancës. Mesazhi i presidentit për një ndarje të barabartë të barrës financiare, ka filluar të ketë ndikim real, u shpreh Stoltenberg. Pavarësisht kritikave që Presidenti Donald Trump i ka bërë herë pas here aleancës, ftesa për Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s erdhi nga Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi dhe udhëheqësi i shumicës së Senatit Mitch McConnell për të treguar mbështetjen dypalëshe që aleanca 70-vjeçare gëzon mes ligjvënësve. Mes të tjeras gjatë fjalimit, zoti Stoltenberg tha: “Ne frenuam Bashkimin Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë. Ndaluam mizoritë në Ballkan. Luftuam terrorizmin nga Afganistani në Lindjen e Mesme. Mirëpritëm vendet e reja të lira të Evropës Qendrore dhe Lindore në Aleancë, duke ndihmuar në përhapjen e demokracisë, paqes dhe begatisë”. Dyert e NATO-s janë gjithmone të hapura, tha Stoltenberg. Maqedonia e Veriut do të jetë anëtarja e 30-të e Aleancës. Fjalimi i tij vjen në prag të takimeve të ministrave të jashtëm të NATO-s në Uashington. Sesioni i tyre i parë të enjten do të përqëndrohet tek Rusia. Pritet që ministrat të miratojnë edhe një plan masash për të bërë të mundur, përmirësimin e mbrojtjes së NATO-s në Detin e Zi. Tema të tjera që pritet të diskutohen gjatë samitit janë, vendimi i shpallur nga Turqia për të blerë një sistem raketash ruse, si dhe misioni i NATO-s në Afganistan.

TË NGJASHME