HomeSociale

Studentët të ndarë mes bojkotit dhe mësimit

Edhe sot studentët pritet që të dalin në protestë për të kundërshtuar ligjin e arsimit të lartë.

Ndërkohë, studentët e  Politeknikut kanë zhvilluar një orë mësimi këtë të martë dhe më tej janë shpërndarë pasi nuk ka pasur pjesëmarrje të madhe të tyre.

Edhe në Universitetin Bujqësor të Tiranës raportohet se ka nisur mësimi në disa auditorë me pak studentë.

Të hënën vetë studentët thanë se do të protestojnë edhe të martën për plotësimin e kërkesave të tyre. Ata nuk mjaftohen me vendimin e Këshillit të Ministrave, duke kërkuar që kërkesat e tyre të votohen në Kuvend.

Sakaq po te Bujqësori një grup studentësh i kanë vënë drynin derës, por janë përballur me policinë.

Një efektiv policie i është afruar një studenti, duke i thënë se do e raportojë për shoqërim.

“Ti mund të protestosh sa të duash, por të kyçësh derën është e kundraligjshme”, i ka thënë polici të riut.

Ndërkohë gjatë protestës së djeshme studentët thanë se nuk do të ndalin protestat dhe se nuk u mjafton vendimi i Këshillit të Ministrave, duke kërkuar votim në Kuvend të kërkesave të tyre.

Në fakt bëhet fjalë për 8  kërkesa që studentët i kanë bërë të ditura që në fillim të protestës. Shumica e tyre ka të bëjë me çështjen e tarifave dhe përmirësimit të kushteve në konvikte.


TË NGJASHME