HomeLajmi i Fundit

Sudan, vriten pesë protestues

Forcat e sigurisë sudaneze reaguan ashpër kundër protestuesve të hënën. Raportohet se të paktën pesë persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë lënduar gjatë përleshjeve me forcat e sigurisë.

Banorët e Khartoumit thanë se kanë dëgjuar të shtëna të shumta me armë dhe kanë parë tym përreth komandës qendrore të ushtrisë.

Forcat sudaneze të sigurisë e kanë sulmuar protestën prodemokratike pranë komandës qendrore të ushtrisë në kryeqytetin e këtij vendi, Khartoum. Ato kanë përdorur municion të vërtetë dhe dëshmitarët kanë thënë se ka viktima.

Sudani është duke u qeverisur nga Këshilli Kalimtar Ushtarak që nga rrëzimi nga pushteti i ish-presidentit Omar al-Bashir përmes puçit në prill të këtij viti. Sidoqoftë, protestuesit po kërkojnë që vendi i tyre të qeveriset nga një qeveri civile.

Protestuesit kanë djegur goma dhe kanë vendosur barrikada në përpjekje për t’i larguar forcat e sigurisë nga grumbulli i tyre.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Sudan ka thënë se sulmi i forcave sudaneze të sigurisë kundër protestuesve është i gabuar dhe duhet të ndalet, shkruan “BBC”.