HomeKulturë

Suela Bako sjell dramën “Tri gra dhe Misugi” premierë në Teatrin Eksperimental

Drama “Tri gra dhe Misugi” do të rikthehet për publikun gjatë muajit shkurt në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Me regji nga Suela Bako shfaqet në sallën Goethe për publikun. Në role janë aktorët Suela Bako, Romir Zalla dhe Anila Muçaj. “Tri gra dhe Misugi”, vjen si një dramë nga kultura e largët orientale bazuar në novelën “Çiftja” të shkrimtarit japonez Yasushi Inoue. Drama do të jetë në skenë nga data 14,15,16,17, 22, 23, 24 shkurt. Më herët vepra teatrore ka qenë dhe në një tur në skenat e teatrit në Shqipëri dhe në Kosovë, por tani rikthehet sërish në Tiranë për publikun. E vendosur në kontekstin e ditëve të sotme, me tre personazhe: aktorja, regjisori dhe asistentja, pjesa zbërthehet me të njëjtën strukturë të shtresëzuar dhe me ngjyrimin dhe shijen e Orientit të largët. Sipas regjisores Suela Bako në dramën “Tri gra dhe Misugi” publiku do të gjejë ndjesitë njerëzore.

“Publiku do marri dashurinë, pasion, trishtim, dhimbje. Kam një ndjesi timen që nuk do të flerë i qetë ai që do të vijë të shohë këtë shfaqje, sepse autori ka hyrë kaq thellë te femra dhe mashkulli, dhe të gjithë e ndjejnë veten brenda veprës të përfshirë. Është kaq pranë nesh me ato që përcjell vepra”, tregon regjisorja Suela Bako.

“Tri gra dhe Misugi” vjen si një shfaqje brenda shfaqjes dhe regjisorja Suela Bako shprehet se kjo pjesë vjen në kohë, por duke e ruajtur veprën.  Përkthyer nga Anxhela Çikopano, dramatizuar nga Çikopano e Suela Bako, skena, kostumet dhe poster design nga Laedia Hajdari, lighting designer Edi Dingu, video dhe foto nga Gert Izeti dhe muzika Eliona Ismalaj.


TË NGJASHME