HomePolitikë

Sulmi ndaj KZAZ-ve, reagon ashpër OSBE: Autorët dhe nxitësit do mbajnë përgjegjësi

Prezenca e OSBE-së në Tiranë ka dënuar ashpër aktet e dhunës në disa KZAZ të vendit. Në një deklaratë për mediat, OSBE ka kërkuar nga forcat politike që të mos nxisin dhunë në të kundërt do mbajnë përgjegjësi ligjore, ndërsa i bëri thirrje autoriteteve që të marrin masa për të ndëshkuar përgjegjësit e dhunës.

Reagimi i OSBE:

Prezenca e OSBE-së i dënon me forcë sulmet e dhunshme të këtyre ditëve kundër organeve përgjegjëse për organizimin e zgjedhjeve, në disa bashki në Shqipëri. Të gjitha proceset politike dhe administrative duhet të zhvillohen në përputhje me parimet e shtetit ligjor.

Çdo përpjekje për të nxjerrë nga shinat procesin demokratik, përmes veprimeve të dhunshme, përbën shkelje të ligjit, pengon përparimin e vendit dhe njollos reputacionin e tij ndërkombëtar. Jo vetëm autorët e dhunës, por edhe nxitësit e saj, duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore. Ne bëjmë thirrje që autoritetet shtetërore të ndërmarrin të gjitha masat, sipas legjislacionit në fuqi, për të hetuar dhe ndjekur penalisht përgjegjësit e dhunës.

Gjithashtu, u bëjmë thirrje organizuesve të protestës së të premtes të sigurojnë një protestë paqësore. Në përputhje me mandatin e saj, Prezenca e OSBE-së mbetet e gatshme të mbështetë shtetin ligjor dhe demokracinë në Shqipëri.


TË NGJASHME