HomeSport

Superliga në kaos, mendohet shtyrja e sezonit

Edhe këtë sezon, 4 ekipet shqiptare që konkurronin në kompeticionet Europiane dështuan të kalonin edhe raundet e para. Partizani që kishte një rast të dytë pas eleminimit nga Champions League, dështoi të arrinte një rezultat pozitiv në përballjen me Sheriff Tiraspol. Edhe njëherë, këto përballje treguan formën e dobët dhe gjendjen që lë për të dëshiruar të Superligës.

Situata këtë sezon parashikohet edhe më e vështirë, për të mos thënë e rëndë, në një kohë kur pjesa më e madhe e ekipeve kanë vështirësi të jashtëzakonshme për të mbijetuar e jo më për të konkurruar. Ekipe si Flamurtari, Vllaznia, Luftëtari e Bylis kanë shprehur publikisht problemet e tyre financiare. Ende pa nisur sezoni janë në kushte mbijetesë, me shumë borxhe dhe me shumë pak shpresë se situata mund të përmirësohet.

Në këtë tablo të errët në maj qëndron Skënderbeu. Dënimi i UEFA-s, i lënë në fuqi nga CAS, praktikisht nxjerr korçarët nga gara reale, për më tepër që mbetet ende për tu parë se çfarë vendimi do të marrë FSHF.

Në këto kushte, me shumë paqartësi për të ardhmen, disa nga përfaqësuesit e klubeve të Superligës zhvilluan një takim të jashtëzakonshëm me zv presidentin e FSHF-ës, Edvin Libohova, njëkohësisht edhe presidenti i Ligës Profesioniste:

“Presim paketën ligjore nga qeveria dhe nëse vendimet aty nuk përputhen me kërkesat tona do të shohim si do veprojmë. Shtyrja e kampionatit është një opsion, por gjithsesi, duhet të presim draftin e qeverisë, gjatë këtyre ditëve, që më pas të dalim me vendimin tone”, u shpreh Libohova. Superliga këtë sezon është parashikuar të nis me 24 gusht.


TË NGJASHME