HomePolitikë

Takim Conte-Rama, zbulohet çfarë diskutuan

Kryeministri Edi Rama gjatë një konference të përbashkët me homologun e tij italian Giuseppe Conte ka deklaruar se për fat të keq Këshilli Europian nuk arriti të merrte vendimin e duhur për Shqipërinë, çka solli një mesazh dobësie. Gjatë fjalës së tij kreu i qeverisë tha se Shqipëria do të vazhdojë në të njëjtën rrugë sa i takon integrimit të saj në BE. Teksa falënderoi për qëndrimin e Italisë sa i takon çeljes së negociatave për vendin tonë, Rama tha se shqiptarët po japin një kontribut në shtetin fqinj.

“Dua të përshëndes qëndrimin e Italisë për negociatat. Për fat të keq Këshilli Europian nuk arriti të merrte vendimin e duhur për Shqipërinë çka solli një mesazh dobësie. Ne do të vazhdojmë të njëjtën rrugë, do vijojmë bashkë me popullin. Ne besojmë se kemi shumë partnerë të fortë. Ka shumë shqiptarë që kontribuojnë dhe paguajnë taksat e vendit italian. 115 mijë shqiptarë mësojnë në shkollat italiane dhe 10 mijë studentë ndjekin studimet ketu me rezultate shumë të mira. Si profesor universiteti, kryeministri italian i ka njohur meritat e shqiptarëve këtu. Kjo vlen si një lloj falënderimi për integrimin që shqiptarët kanë mundur të arrijnë në Shqipëri. Duhet parë dhe situata mbi çështjen e sigurimeve shoqërore. Do vazhdojmë në këtë bashkëpunim për të intensifikuar marrëdhëniet, për të arritur dakordësi për njohjen e sigurimeve shoqërore të shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Itali. Qeveria shqiptare është koshiente për rritjen e numrit të italianeve në Shqipëri. Firmat private që operojnë në Shqipëri, që drejtohen nga italianë. Kemi arritur që të bashkëbisedojmë dhe për dhënien prioritet të firmave italiane që operojnë në vendin tonë. Kemi diskutuar për arbëreshët që jetojnë në Itali. Është një vlerë e shtuar kulturore i shtetit italian për morinë e vlertave kulturore që paraqet Italia, sa i takon zërit të Italisë, i cili ka një vlerë të padiskutueshme edhe në arenën ndërkombëtare lidhur me mbështetjen që i ka bërë Shqipërisë”, pohoi Rama.

FJALA E RAMES
Shumë faleminderit, i nderuar Kryeministër, i dashur Giuseppe, për këtë ftesë dhe për shprehjen kuptimplotë të një mikpritjeje të ngrohtë, në një periudhë kaq të shkurtër mes dy takimeve tona, që pasojnë njëra-tjetrën edhe si shprehje kuptimplotë e vullnetit të palëkundur të Italisë mike dhe tuajin personalisht, në mbështetje të rrugëtimit europian të Shqipërisë. Ashtu sikundër bëra edhe gjatë takimit me Kryeministrin, dëshiroj ta bëj edhe publikisht, falënderimin e sinqertë për qëndrimin e prerë dhe përpjekjen deri në fund, nga ana e tij, në radhën e shumicës dërrmuese të vendeve të BE-së, që mbështetën çeljen e negociatave me Shqipërinë. Fatkeqësisht, Këshilli Europian nuk arriti dot të marrë vendimin e duhur, duke i mohuar Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut atë që meritonin dhe natyrisht duke dhënë një mesazh dobësie dhe e thënë deri në fund, një mesazh pafuqie për të mbajtur premtimet nga ana e BE-së.

Por, siç e ndava dhe me Kryeministrin, Shqipëria nuk ka asnjë rrugë tjetër, përveçse asaj që është rruga e projektuar nga rilindësit tanë dhe e ndjekur vijimësisht nga populli ynë, rruga e të bashkimit të plotë me Europën. E në këtë rrugë, ne jemi besimplotë edhe për faktin se kemi miq të mëdhenj dhe partnerë të palëkundur si Italia. Ashtu sikundër, në këtë rrugë, ne do të vijojmë po njësoj, gjë për të cilën informova Kryeministrin edhe lidhur me përshpejtimin e procesit të reformës zgjedhore, të cilën dëshirojmë padiskutim ta kryejmë në marrëveshje me të gjitha forcat politike, por do ta përmbushnim në Parlamentin e Shqipërisë, sipas të gjitha rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. E nga ana tjetër, me kënaqësi mora nga Kryeministri, mbështetjen e plotë për paketën e re antikrim dhe antikorrupsion që ne po përgatisim, ku njohuritë, dija, eksperienca e Italisë mike dhe njerëzve që do të na vihen në dispozicion janë me një vlerë të paçmueshme.

Në Itali janë gjysmë milioni shqiptarë dhe 31 mijë prej tyre janë titullarë kompanish private. Ashtu sikundër, afro 300 mijë prej tyre kontribuojnë në arkën e shtetit italian dhe nga ana tjetër 115 mijë fëmijë mësojnë në shkollat italiane, si dhe 10 mijë studentë shqiptarë në universitetet italiane, ku janë më të mirët ndër studentët e huaj, gjë që ma konfirmoi edhe Kryeministri në cilësinë e profesorit të universitetit që ka patur mundësi t’i njohë nga afër studentët shqiptarë. Për këto arsye, mendoj se meriton të falënderohet Kryeministri dhe Italia mike, për jo vetëm fjalët, por edhe veprat kuptimplota në drejtim të integrimit të plotë të shqiptarëve në Itali. Ashtu sikundër meriton të çmohet dhe të futet në rrugën e zgjidhjes çështja e sigurimeve shoqërore të kësaj mase të madhe kontributorësh në shtetin italian. Më vjen shumë mirë që bashkëpunimi i nisur në këtë drejtim është konfirmuar nga Kryeministri dhe ne do të vazhdojmë dhe do të përshpejtojmë përpjekjet për ta përmbyllur këtë marrëveshje, që ka një rëndësi të madhe për ekonominë e këtyre familjeve, për dinjitetin e këtyre njerëzve, por edhe për miqësinë tradicionale mes dy popujve tanë.

Së fundi, diskutuam padyshim edhe për fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik. Italia është faktori kryesor i huaj në tregun shqiptar. Të gjitha shifrat flasin për këtë. Numri i italianëve që vizitojnë Shqipërinë vjen në rritje. Shifrat e vetë shtetit italian për rritjen eksponenciale të turistëve italianë në Shqipëri, çdo vit, flasin vetë. Kompanitë italiane janë të mirëpritura. Disa investime strategjike për të cilat ne kemi diskutuar janë në proces dhe ne mirëpresim padyshim kompanitë e mëdha italiane që të përfshihen në këto investime. E sigurisht që vlerësojmë pa masë edhe aspektin e dijes dhe të eksperiencës që këto kompani sjellin. Duke e falënderuar edhe njëherë përzemërsisht Kryeministrin dhe duke nënvizuar edhe sensibilitetin e shumëpritur dhe të mirëpritur nga ana jonë të shtetit italian, lidhur me komunitetin më të vjetër shqiptar në Itali, komunitetin arbëresh, si dhe angazhimin për të mbështetur këtë vlerë kulturore në tërësinë e vlerave të jashtëzakonshme të këtij vendi të bekuar siç është Italia, pres me padurim që të vazhdojmë punën e nisur. Jam i bindur se rezultatet do të flasin vetë, qoftë për zhvillimin e mëtejshëm të vendit, qoftë në aspektin e marrëdhënieve bilaterale, qoftë edhe të forcimit të zërit të Italisë falë argumenteve dhe rezultateve të bashkëpunimit në Këshillin Europian.

I qartë në qëndrimin e tij ka qenë dhe kryeministri italian Giuseppe Conte, i cili i bëri thirrje qeverisë shqiptare dhe opozitës që të ulen në një tryezë për dialog, për zgjidhjen e krizës politike. “Opozita dhe qeveria të ulen në dialog që të zgjidhin krizën. Të duhet vendet, Shqipëria dhe Italia do të punojnë për nismat në biznese”, pohoi Conte.

Gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin, Edi Rama, tha se palët duhet të ulen në dialog.

“Opozita dhe qeveria të ulen në dialog që të zgjidhin krizën. Kam inkurajuar në mënyrë të përsëritur kryeministrin Edi Rama për një ftesë të hapur me opozitën, me qëllim zhbllokimin e problematikave që prej kohësh pengojnë Shqipërinë të ecë në rrugën e reformave të nisura, në veçanti reformës zgjedhore. Dhe po i lejoj vetes si kryeministri i një vendi që ka një traditë miqësie shumë të gjatë dhe të fortë me Shqipërinë… I ripërsëris edhe një herë ftesën forcave opozitare, te ndjekin te njëjtën qasje, me shpirt konstruktiv dhe nëse më lejoni, pa kushte”, tha ai.

Duke komentuar vendimin e Bashkimit Evropian për të mos hapur negociatat, kreu i qeverisë së Italisë e konsideroi një gabim historik.

“Mos hapja e negociatave është një gabim historik. Perspektiva e Ballkanit është në Bashkimin Evropian”, tha ai.

Nga ana tjetër kryeministri i Italisë tha se shtetasit shqiptarë që vuajnë dënime në burgjet italiane do të transferohen në Shqipëri. AI theksoi se është arritur një marrëveshje midis dy shteteve për këtë çështje dhe transferimi i të burgosurve shqiptarë ka nisur tashmë dhe në vijim do të ketë transferime të tjera të të burgosurve.


TË NGJASHME