HomePolitikë

Takimi i Metës me ish-kryenegociatoren e Kosovës: Ndryshimi i kufijve, skenar i rrezikshëm

Ish-ministrja e Jashtme e Kosovës, Edita Tahiri ka njoftuar për një takim të mbajtur me Presidentin Ilir Meta, të cilin e përshkruan si takim kombëtar dhe vizionar.

Tahiri bën me dije se ndajnë të njëjtin qëndrim lidhur me ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, pasi e konsiderojnë një skenar të rrezikshëm që dëmton shtetin e Kosovës dhe interesat kombëtare si dhe destabilizon rajonin me pasoja të paparashikueshme.

“Takimi me Presidentin Ilir Meta ishte thellësisht kombëtar dhe vizionar. Qëndrimet e tij në mbrojtje të shtetit të Kosovës dhe kufijve ishin qëndrime të drejta të një presidenti shqiptar që njeh mirë luftën dhe sakrificat më sublime të shqiptarëve dhe Kosovës për liri dhe pavarësi. U pajtuam që ndryshimi i kufijve në raportet mes Kosovës dhe Serbisë është një skenar i rrezikshëm që dëmton shtetin e Kosovës dhe interesat kombetare si dhe destabilizon rajonin me pasoja të paparashikueshme.

Kosova është shtet i pavarur dhe sovran me kufij të pacënueshëm në pajtim me të drejtën ndërkombëtare, të cilën e ka vërtetuar Gjykata Ndërkombëtare për Drejtësi në 2010. Kosovën e bëmë shtet falë luftës tonë të drejtë dhe mbështetjes nga aleatet tanë perendimor në krye me SHBA-të, partnerët evropianë Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar, etj, NATO-n.. Nderi jonë kombëtar të cilin e rikthyem me luftën e fituar për liri dhe gjeopolitika perendimore të cilës i takon kombi shqiptar, qofshin të përjetshme”, shkruan ish-ministrja e Jashtme e Kosovës, Edita Tahiri.


TË NGJASHME