HomeLajmi i Fundit

“Të prek shpirtin”, rrëfehet babi i 10 vjeçarit që humbi jetën në Kakavijë

Frymëmarrja duket se është shpëtimi i çdo fjalie që i kujton tragjedinë. Nik Ndoji e ka të vështirë të tregojë për 15 gushtin, ditën kur ambulanca i mori jetën djalit të tij teksa kishin 24 orë që prisnin në radhë për të kaluar në Kakavijë për t’u kthyer në vendin ku jetonin e punonin, në Greqi. Por ai kujton gjithçka para aksidentit e më pas ka shumë pikëpyetje.

Dëshmia tronditëse e tij ka ardhur sot në emisionin “Me zemër të hapur” në News24. Ai ka vetëm dy ditë që është bashkuar me familjen, ka shkuar në Greqi tek bashkëshortja dhe djali tjetër.

Prej sa ditësh ishit në Shqipëri para ngjarjes?
Ne më 1 gusht kishim ardhur në Shqipëri për të nxjerrë pasaportat. Nxorëm pasaportat dhe u nisëm për udhëtim dhe na ndodhi ajo që shpresoj të mos i ndodhë asnjë njeriu tjetër.

I kishit marrë masat e duhura, e dinit që do rrinit me ditë të tëra në pritje?
Na kishin thënë që ka trafik por jo aq sa gjetëm, 10 km trafik. 

I kishit marrë masat sa i përket tamponit?
Në atë moment që do kalonim ne nuk kërkohej tampon, por një aplikim. Atë e kishim bërë. Për tamponët nuk ishim të detyruar.

Si ishte situata para se të ndodhte tragjedia?
Atmosfera ishte papërballueshme. 24 orë fëmijët në makinë. As ushqime, gjëra nuk kishim, vapë e madhe. Një gjë që nuk përballohej dot për aq kohë. Policia vinte vërdallë, ambulanca kishte plot se çfarë bënin, ca shkonin, ca iknin. Ne nuk dinim asgjë më tepër.

Si jetuat brenda një makine, ku kryenit nevojat personale?
Ku t’i kryenim, atje asgjë nuk kishte. Njeriu niset për një udhëtim por llogarit 10-12 orë do shkojë në destinacion. Ishte çdo gjë e papërballueshme në atë mes.