HomeSociale

Tenderi për lotin e parë të Unazës, oferta nga 6 kompani

Pas anulimit për shkak të skandalit me kompaninë “Dunwell Haberman”, Autoriteti Rrugor Shqiptar zhvilloi sërish tenderin për lotin e parë të “Unazës së re” të Tiranës.

ARRSH ka publikuar 6 kompanitë, të cilat kanë dorëzuar ofertat për “Rehabilitimi i segmentit rrugor mbikalimi pallati me shigjeta rrethrrotullimi Shqiponja, Loti 1”, afati i dorëzimit të të cilave ka përfunduar në orën 11:00 të ditës së sotme.

Kompanitë që kanë dorëzuar oferta:

  1. Curri sh.p.k. & Vëllezërit Hysa sh.p.k. & Agri Konstruksion
  2. GD Granit AD Skopje
  3. Gjoka Konstruksion SH.A. & Shansi ivest sh.p.k.
  4. Geci sh.p.k.
  5. ANK sh.p.k.
  6. Baftjar Murati

Pas shqyrtimit të dokumentacionit do të kalohet në vlerësimin e ofertave, shpalljen e rezultatit dhe bërjen e tij publike.

“Kriteret dhe kërkesat ligjore në këtë garë, të publikuara edhe në Agjencinë e Prokurimit Publik janë të njëjtat me ato të garës së mëparshme për të njëjtin lot të unazës dhe nuk ka ndryshuar asnjë prej tyre”, thuhet në deklaratën e ARRSH.

Kjo është hera e dytë që loti i parë i segmentit të Unazës, nga “Pallati me shigjeta” deri te “Shqiponja”, hidhet në tender.

Herën e parë tenderi u shndërrua në skandal, pasi kompania e shpallur fituese “DH Albania” kishte falsifikuar firmën e Sekretarit të Shtetit në Delaëare.

Pas shpërthimit të skandalit, Autoriteti Rrugor Shqiptar u detyrua të anulojë tenderin, ndërkohë që çështja është nën hetim nga Prokuroria në Shqipëri, por edhe autoritetet amerikane.

Tenderi i unazës së re në segmentin nga “Pallati me shigjeta” deri te rrethrrotullimi i “Shqiponjës ka qenë objekt akuzash, kryesisht për koston e lartë, rreth 40 milionë euro për një segment me gjatësi totale 2.3 kilometra.


TË NGJASHME