HomeRajon

Tetovë/ Detaje të reja nga aksidenti ku vdiq 18 vjeçari

Aksidenti tragjik në Tetovë, ku mbeti i vdekur një 18 vjeçar, ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:30 në kryqëzimin e rrugëve 160 dhe 161 në afërsi të kazermës. Nga kjo ngjarje kanë mbetur të lënduar dhe 4 persona të tjerë.

Në aksident janë përfshirë dy makina, njëra e tipit Audi që drejtohej nga një 17 vjeçar dhe një makinë e tipit Renault Megane që drejtohej nga një 18 vjeçar. Nga aksidenti ka humbur jetën 18 vjeçari me iniciale SH.L  që  kishte qenë shoqërues në makinën Audi. Udhëtari i tretë, një 16 vjeçar, ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është transferuar në Qendrën Klinike të Shkupit, njofton zëdhënësi i policisë së Tetovës, Marjan Josifovski.

Që të dy shoferët janë dërguar në spitalin e Tetovës.

Pas ndihmës së parë, shoferi i makinës Audi është lëshuar për shërim në shtëpi, ndërsa 18 vjeçari që kishte drejtuar makinën tjetër është mbajtur në spitalin e Tetovës.

Në makinën Renault kishte edhe 3 persona të tjerë të cilët nuk kanë pësuar lëndime, ka thënë Josifovski.

Prokurori i përgjithshëm dhe ekipe të MPB-së së Tetovës janë duke hetuar vendin e ngjarjes për zbardhjen e plotë të rastit.


TË NGJASHME