HomeSociale

Thaçi mban konferencë për të mbijetuarit e dhunës seksuale

Hashim_Thaçi

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është duke mbajtur konferencën “Të gjithë së bashku me një zë”, në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ai ka thënë se të mbijetuarat e dhunës seksuale duhet ta lënë të kaluarën mbrapa.

“E gjithë shoqëria jonë ka pasur nevojë për një zë tonin të përbashkët, në përkrahje të viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Të gjithë ne me një zë duhet të kërkojmë më shumë përkrahje prej tërë shoqërisë që së bashku me viktimat e dhunës seksuale ta lëmë pas të kaluarën dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë. Të mbijetuarat e dhunës seksuale kanë nevojë për përkrahje institucionale, për përkrahjen e familjes, komunitetit dhe shoqërisë”, ka thënë ai, përcjell Telegrafi.

Sipas tij shoqëria kosovare duhet të bëjë më shumë për të mbijetuarat e dhunës seksuale.

“Fajësia edhe pas 20 vjetësh vazhdon të peshoj mbi vetë këto viktima. Shoqëria jonë duhet të ndërgjegjësohet dhe të bëjë më shumë për këto të mbijetuara. Lufta për ne ka mbaruar në vitin 1999, por për të mbijetuarat e dhunës seksuale nuk ka mbaruar asnjëherë. Për shkak të frikës nga stigmatizimi të mbijetuarat ende vazhdojnë të mbijetojnë në heshtje”, është shprehur ai.

Thaçi ka thënë se nuk duhet të gjykohen viktimat e dhunës seksuale, por duhet të bëhemi zëri i tyre.

“Së bashku kështu siç jemi edhe sot duhet të inkurajojmë të gjitha këto viktima që të ballafaqohen me të kaluarën e hidhur. Ne nuk duhet t’i gjykojmë por t’i duam, jo ti stigmatizojmë por t’i mbështesim dhe të bëhemi zëri i tyre. Këto ishin krime makabre nga kriminelët e Serbisë, për të na poshtëruar, fyer, e shkatërruar nderin e dinjitetin. Ata u munduan të na përkëmbin, të na përjashtojnë. Por, të mbijetuarat e dhunës seksuale nuk janë fajtore për të kaluarën e tyre. Ato janë viktima që më shumë se të gjithë kanë nevojë për përkrahjen ton, të shtetit, dhe të institucioneve të Kosovës.
Të mbijetuarat e dhunës duhet të flasin, të kërkojnë drejtësi sikurse Vasfije Krasniqi-Goodman:, ka theksuar ai.

Ndër të tjera ai ka thënë se karshi këtij krimi po heshtë bashkësia ndërkombëtare.

“Po ashtu duhet të kërkojmë qartësi pse po ndodhë kjo heshtje nga faktori ndërkombëtarë. Për dhjetë vite ishte ambasada e UNMIK-ut këtu, asnjë i dënuar për dhunë seksuale. Tribunali i Hagës as që është marrë me këtë gjë. Eulex-i është munduar, por nuk ka pasur sukses. Viktimat përveç që duhet t’i mbrojmë, ato kërkojnë edhe drejtësi. Adresa është e qartë, është Beogradi. Ata njerëz që kanë kryer këto krime janë në Qeverinë e Serbisë, në Parlamentin e Serbisë, në Institucione. Kjo po heshtet nga bashkësia ndërkombëtare, është heshtje amnistuese, pajtuese e faktorit ndërkombëtar. Është shqetësim i madh për neve”, ka thënë Thaçi.


TË NGJASHME