HomeSociale

Thaçi: Nëse BE nuk na hap dyert, Kosova bashkohet me Shqipërinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se nëse Bashkimi Europian vazhdon izolimin e Kosovës do të shqyrtohet mundësia për veprime institucionale apo referendume për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Thaçi në RTV Dukagjini ka thënë se ideja për korrigjimin e padrejtësive historike për bashkimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me territorin e Kosovës kurrë nuk ka qenë më e sensibilizuar deri më tani.

“Edhe në takimin e Berlinit as që është mbyllur ndonjë ide, por as që është prezantuar ndonjë alternativë e re. Diçka të tillë do të vazhdoj të prezantoj”.

Presidenti i Kosovës ka thënë se pas vonesave që Bashkimi Europian po i bën Kosovës ka ardhur koha të mendohet seriozisht për ndërmarrjen e hapave institucionalë për Bashkim Kombëtar.

“Këtë mund ta bëjmë qoftë përmes rezolutave në kuvendet e dy vendeve tona, apo përmes referendumeve në Kosovë dhe Shqipëri, gjithmonë duke përfshirë edhe Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin”.

Thaçi ka shtuar më tej se nëse Bashkimi Europian nuk i do dy shtetet shqiptare me dy flamuj në gjirin e saj atëherë le ta pranojë vetëm një flamur.

I pari i Kosovës ka thënë se Kosova nuk e ka alternativë Turqinë, Rusinë apo Kinën, por ka alternativë bashkimin me Shqipërinë.


TË NGJASHME