HomeSociale

“The long way” fut “në grackë” 2 vlonjatët

Operacioni i koduar “The long way”, i ndjekur me metoda proaktive, është finalizuar duke vënë në pranga dy të rinj vlonjatë, si dhe është shpallur në kërkim një i tretë, i dënuar edhe më parë, ndërsa u janë gjetur dhe sekuestruar 3 mina të montuara me telekomandë të shpërthimit në distancë, 2.3 kg lëndë narkotike e dyshuar marijuanë si dhe 1 telefon celular.

Njoftimi i Policisë:

Në vijim të punës për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe goditjen e veprimtarive të kundraligjshme, duke vendosur përpara përgjegjësisë ligjore autorët e dyshuar, nga Sektori për hetimin e krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, falë një pune profesionale të mirëorganizuar, të ndjekur me metoda proaktive, u finalizua me sukses operacioni i koduar “The long way”, duke goditur një tjetër rast të tentativës për trafikim të minave me telekomandë.

Si rezultat i këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit:

– A.L. 23 vjeç, banues në Vlorë.
– A. E. 21 vjeçe, banuese në Vlorë.

Gjithashtu u shpall në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasit E.E., 27 vjeç, banues në Vlorë (i dënuar më parë).

Shtetasit e mësipërm u arrestuan në flagrancë në qytetin e Lezhës, pasi nga kontrolli në çantat e tyre u gjetën të fshehura 3 mina me shpërthim të telekomanduar nëpërmjet celularit, si dhe një sasi prej 2.3 kg lënde narkotike e dyshuar marijuanë.

Materialet procedurale në ngarkim të tyre u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës së Parë Lezhë për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve plasëse” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” parashikuar nga nenet 282/a/2 dhe 283/2 të Kodit Penal.


TË NGJASHME