HomeSociale

Thirrja e fundit për studentët/ Aplikimi për praktikat 3-mujore në administratë mbyllet nesër

Mbyllet nesër aplikimi për praktikat 3-mujore të punës në administratën shtetërore dhe institucionet e tjera publike të vendit. Autoritetet e dikasterit të Arsimit u kanë kërkuar gjatë ditës së djeshme nga të rinjtë dhe studentët që kanë në zotërim të paktën një diplomë të nivelit “Bachelor” të aplikojnë sipas profileve të përcaktuara. “Afati për aplikim përfundon në datën 28 shkurt.”

Aplikimi është i hapur për të rinjtë profesionistë nga mosha 21 deri 26 vjeç, të cilët zotërojnë minimalisht një diplomë studimesh të nivelit të parë. Zhvillimi i praktikës së punës është pa pagesë dhe qëllimi mbetet përfitimi i një përvoje kualifikuese për zhvillimin e mëtejshëm të aftësive profesionale, akademike dhe personale”, bëjnë me dije ekspertët e dikasterit të Arsimit.

Sipas tyre, kohëzgjatja e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës do të jetë tre muaj dhe përfshirja në të është pa pagesë. Secili kandidat mund të njihet për profilet e kërkuara, numrin e pranimeve, si dhe detaje të tjera të nevojshme për aplikim në linkun e posaçëm: http://praktika.arsimi.gov.al/.  Pasi të informoheni gjerësisht rreth programit dhe pas konsultimit të profileve të kërkuara, mund të vijoni me plotësimin e formës së aplikimit online.

Ndërkohë që gjatë plotësimit të tij duhet të dorëzoni edhe këto dokumente: CV e aplikantit, diplomën e përfundimit të studimeve të shkollës së lartë, listën e notave, si dhe një letër motivimi. Periudha e praktikës së zhvilluar do të njihet si përvojë pune gjatë procedurave të rekrutimit në institucionet e administratës publike.

Ndërsa për 200 kandidatët të cilët do të dëshmojnë arritje të larta gjatë ndjekjes së praktikës do të bëhet e mundur edhe punësimi I tyre me një kontratë 1-vjeçare punësimi.

Gjatë ndjekjes së kësaj praktike, pjesëmarrësit do të përfshihen në një eksperiencë pune të integruar dhe në ndërveprim me profesionistë karriere në administratën publike, njësitë e vetëqeverisjes vendore apo dhe shoqëritë tregtare, me qëllim përfitimin e një përvoje kualifikuese që ndikon në zhvillimin e aftësive të tyre profesionale e të shprehive të tyre në praktikë. Në përfundim të saj, kandidatët me rezultatet më të larta do të lidhin edhe kontratën një vjeçare të punësimit në profilin përkatës.

Mund të aplikojnë:

Në këtë program mund të aplikojnë të rinj profesionistë nga mosha 21 deri 26 vjeç, të cilët kanë përfunduar minimalisht ciklin e parë të studimeve ‘Bachelor’. Kështu, të gjithë studentët që janë duke ndjekur , apo kanë përfunduar një program të ciklit të dytë, në një nga profilet studimore të kërkuara mund të vijojnë procedurat e aplikimit online. Kandidatët duhet të tregojnë interes në punën e sektorit të përzgjedhur dhe të kenë aftësi shumë të mira analitike e komunikimi. Për të aplikuar duhet të keni përfunduar minimalisht studimet e ciklit të parë ‘Bachelor’!

Dy fazat e praktikës

Faza e parë e këtij programi, që përkon me periudhën e praktikës, do të zgjasë tre muaj dhe është pa pagesë.

Faza e dytë ju ofron mundësinë për të fituar kontratën 1-vjeçare të punës, bazuar në performancën individuale dhe kërkesat e vetë institucioneve të administratës qendrore publike. Fituesit do të lajmërohen nëpërmjet adresës elektronike nga institucionet përkatëse.

 


TË NGJASHME