HomeSociale

Thirrjet telefonike në 112, Policia apel qytetarëve

Policia e Shtetit ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit ka pasur një fluks të pazakontë telefonatash në numrin 112.

Policia i bë apel qytetarëve dhe kërkon ndihmën e tyre që të kufizojnë thirrjet telefonike drejt 112, duke u lënë mundësinë të marrin shërbim atyre që kanë më tepër nevojë për ndihmë.

Ndërsa sqaron se 112 nuk është Salla Emergjente për sqarim pyetjesh, por për marrje denoncimesh apo shqetësimesh, Policia thaekson se nuk është koha që për çdo pyetje informuese të telefonohet 112, të tilla si pamundësia e lëvizjes me mjet, me këmbë etj.

Njoftimi i plotë

Policia e Shtetit në 24 orët e fundit ka pritur një fluks të pazakontë telefonatash në numrin unik 112, duke iu ofruar ndihmë mijëra qytetarëve.

Në shumë momente kohore, sidomos sot, ka patur raportime për pamundësi të arritjes së numrit unik 112.

Duke kërkuar mirëkuptimin e çdo qytetari dhe ndihmën e tij, apelojmë të racionohen thirrjet telefonike drejt 112, duke u lënë mundësinë të marrin shërbim atyre që kanë më tepër nevojë për ndihmë.

Kjo nuk është koha që për çdo pyetje informuese të telefonohet 112, të tilla si pamundësia e lëvizjes me mjet, me këmbë etj.

112 nuk është Salla Emergjente për sqarim pyetjesh, por për marrje denoncimesh apo shqetësimesh. Kjo merr një tjetër rëndësi specifike në këto momente.

Kufizimi dhe ndalimi i qarkullimit është një sakrificë që i ndihmon parandalimit të përhapjes së COVID-19 dhe kapërcimit sa më lehtë e shpejtë të kësaj situate.

#tëBASHKUAR


TË NGJASHME