HomeLajmi i Fundit

“Ti je Klevi?”, dalin detaje të reja nga ekzekutimi i të riut në Elbasan

Detaje të reja janë zbardhur nga atentati ndaj dy vëllezërve në fshatin Murras të Elbasanit, ku për pasojë humbi jetën një 22-vjeçar.

Klevin Baho, 22-vjeçari që ndërroi jetë, ishte duke u kthyer në shtëpi pas qëndrimit në një lokal të zonës. Shumë pranë një pike karburanti, atij i ka dalë përpara një person duke iu drejtuar me fjalët: “Ti je Klevi?” 22-vjeçari e ka mohuar dhe është larguar.

Për mosnjohjen e tij, ka shërbyer dhe një kapele që i riu kishte nisur të mbante në kokë kohët e fundit. Pasi ka përshkruar një distancë, i ka telefonuar vëllait të tij për ndihmë dhe ky i fundit ka shkuar me makinë. Por rrugës, duke u kthyer në banesë, ata janë ndjekur nga një mjet dhe janë qëlluar me breshëri automatiku.

Aleksandër Baho ka ndaluar mjetin dhe vëllai i tij, Klevini ka dalë nga mjeti në tentativën për t’u fshehur. Klevini kishte pak kohë që ishte kthyer nga Italia, pasi kishte dalë nga burgu atje. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur aktivitetin e dy vëllezërve në Shqipëri, por edhe jashtë saj.