HomeLajme

Tirana nuk i uli qepenat, dështon protesta e biznesit të vogël

Në shenjë solidarizimi Shoqata e Biznesit të Vogël në Shqipëri kërkoi ditën  e djeshme që bizneset e vogla në vend të mbyllnin aktivitetin e tyre prej orës tetë të mëngjesit deri në orën katër të pasdites. Mirë po bizneset në Tiranë kanë vijuar aktivitetin e tyre si normalisht. Një pjesë e pyetur prej tyre thonë se nuk kanë qenë në dijeni se sot do të mbahej një protestë, ndërsa pjesa tjetër thonë se dhjetori është një muaj pune për ta dhe ulja e qepenave qoftë për një ditë të vetme i dëmton financiarisht.

Shumë prej dyqaneve të rrugës Myslym Shyri kanë filluar edhe uljet për festat e fundvitit.

Edhe për tregtarët në tregun çam dita e sotme ka qenë një ditë normale pune. Asnjë prej dyqaneve në treg nuk ka pezulluar aktivitetin sot. Tregtarët thonë se askush nuk i ka njoftuar se dita e sotme do të bëhej protestë. Artani, i cili tregton prej vitesh aty, thotë se do t’i bashkohej protestën në qoftë se do ta dinte për të. “Është një interesin tonë të protestojmë, veçanërisht për të ngritur pragun e TVSH-së,- tha ai për “Monitor”. Ai tregoi se për shkak të uljes së pragut të TVSH-së ka mbyllur NIPT-in e mëparshëm dhe po vijon aktivitetin në emër të një familjari tjetër vetëm për t’i shpëtuar TVSH-së.

Rritja e pragut të TVSH-së ka qenë një nga kërkesat që Shoqata e Biznesit të Vogël ka bërë me dije gjatë konferencës së ditës së djeshme. Ata kërkojnë që pragu të rritet nga 2 milionë lekë në 12 milionë lekë. Prej muajit prill u vendos ulja e pragut nga 5 milionë lekë në 2 milionë për përfshirjen në TVSH të biznesit të vogël.

Kërkesat që i drejtohen qeverisë janë si më poshtë:

Rritja e pragut të TVSh për biznesin e vogël nga 2 mln lekë në 12 mln lekë

Ulja e çmimit të energjisë elektrike me 30 %

Ulja e çmimit të karburantit me 40 lekë për litër

Ndalja e projektit të qeverisë për zëvendësimin e kasave fiskale dhe gjithashtu ndryshim sistemi

Bujar Muça, nënkryetar i Shoqatës së Biznesit të Vogël tha se nuk e kanë lokalizuar protestën në zona të veçanta. Ai u shpreh se shoqata është e hapur për dialog për përmbushjen e pikave, por nuk i negocion ato./ monitor


TË NGJASHME