HomeLajmi i Fundit

Transportonin emigrantë të paligjshëm, arrestohen 3 shtetas

Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Kapen duke transportuar emigrantë të paligjshëm, arrestohen në flagrancë tre shtetas, midis tyre një i huaj.

Specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve:

• Xh. Sh., 24 vjeç, banues në Fushë-Milot, Lezhë.

• K. T., 23 vjeçe, banuese në Cërrik, Elbasan.

• S. M., 39 vjeç, shtetas sirian, me banim të përkohshëm në Tiranë.

Arrestimi i tyre u bë pasi shtetasit e mësipërm, janë kapur nga shërbimet e policisë në aksin rrugor Maliq-Lozhan, duke transportuar me dy automjete në drejtim të Tiranës, tre shtetas të huaj emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit prej 150 euro secilit, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”.

K.S/GotaNews