HomeLajme

Tregtarët e makinave kërkojnë të lejohet importi për “Euro 4”

Importuesit që shesin automjete të përdorura thonë se janë penalizuar nga ndalimi i importitmakinave të vjetra mbi 10 vjet.

Në një takim me Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, tregtarët thanë se u duket i padrejtë vendimi për të mos lejuar hyrjen në Shqipëri të mjeteve me djegie të naftës Euro 4, kur sipas tyre, makina të tilla qarkullojnë në Itali dhe në Gjermani.

Importuesit e makinave i kërkuan autoriteteve që nëse kërkojnë të mbrojnë mjedisin, të kushtojnë më shumë vëmendje tek cilësia e naftës.

Ministrja Balluku e shoqëruar nga drejtori i DPSHTRR, Blendi Gonxhe dhe drejtori i Drejtorisë së Politikave dhe Zhvillimit të Infrastrukturës dhe Territorit, Thimjo Plaku, tha se Shqipëria është angazhuar tashmë në një proces mjaft të rëndësishëm siç është ai i integrimit europian. Në kuadër të këtij procesi qeveria duhet të përmbushë disa kritere, të cilat lidhen me ruajtjen e mjedisit dhe rregullimin e procedurave ligjore të tregtimit të mjeteve motorike të vjetra.

Megjithatë ministrja ka premtuar se MIE do të shqyrtojë me kujdes gjithë problematikën e krijuar si dhe kërkesat e paraqitura nga grupet e interesit, për të gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme si për tregtarët e automjeteve ashtu edhe për mos ndotjen e mjedisit.

“Kjo është një dëgjesë për të përmirësuar një fushë në të cilën disi ju janë prekur interesat tuaja dhe ne do gjejmë një rrugë të mesme, sa më të mirë për të qenë konform kërkesave dhe ligjeve që kanë të bëjnë me mjedisin, por nga ana tjetër pa ju prishur edhe juve bizneset në të cilat keni investuar”, është shprehur Balluku.

Përfaqësuesit e biznesit nga ana e tyre kanë falenderuar për vëmendjen e treguar nga MIE si dhe për gatishmërinë e treguar për të gjetur një zgjidhje të shqetësimeve të tyre.


TË NGJASHME