HomeLajmi i Fundit

Treni del nga binarët, tetë persona të lënduar

Gjatë mëngjesit të së martës në Hong Kong, një tren ka dalë nga binarët , ku tetë persona u lënduan dhe 500 të tjerë u evakuuan nga autoritetet. Në pamjet e publikuara në internet shihet se tre vagonë të trenit kishin dalë nga binarët dhe i kishin bllokuar binarët e tjerë në stacionin Hung Hom, i cili ofron shërbime për Kinën.

Pasagjerët u detyruan të largohen nga treni përmes një dere të thyer dhe të kalojnë nëpër binarë për t’u vendosur në një vend të sigurt.

Sipas autoriteteve, tetë persona raportuan për lëndime kur arritën në hapësirën e brendshme të stacionit.

Shkaktari i këtij devijimi është duke u hetuar, por nuk dyshohet për ndërhyrje të protestuesve, të cilët më parë ishin përpjekur ta bllokojnë sistemin e transportit publik në qytet.

Hong Kongu ka hyrë në muajin e katërt të trazirave politike, në të cilat kanë marrë pjesë miliona protestues, të cilët po e sfidojnë seriozisht pushtetin dhe kontrollin e Kinës ndaj këtij qyteti që nga viti 1997, kur Britania e kishte larguar kontrollin e vet.

Të nxitur fillimisht nga projektligji për ekstradim në Kinë, i cili u tërhoq më vonë nga qeveria, protestat shpesh kanë qenë të dhunshme me përleshje mes policisë dhe qytetarëve, shkruan “The Guardian”.