HomeSport

“Trondisin” 2 titullarët e Kukësit, kërkesë në FSHF për largim

Sulmuesi nga Mozambiku, Arturo Rexhinaldo, dhe mbrojtësi nga Brazili, Uilliam Melo, nuk duan të rinovojnë kontratën me klubin e Kukësit. Dje dy titullarët e skuadrës veriore kanë konfirmuar këtë vendim përmes një shkrese që kanë depozituar në ambientet e institucionit të futbollit shqiptar.

uilliam kordeiro melo

Në bazë edhe të marrëveshjes që kanë firmosur me Kukësin verën e shkuar, ata duhet të njoftojnë klubin dhe FSHF-në 30 ditë para skadimit të kontratës se cili do të jetë vullneti i tyre për të ardhmen. Në këto kushte, gjatë së martës paradite, Melo dhe Rexhinaldo kanë qenë në FSHF dhe përmes një shkresë, kanë vënë në dijeni institucionin e futbollit se nuk duan të rinovojnë marrëveshjen me Kukësin.

Rexhinaldo

Rexhinaldos i skadon kontrata më 31 maj, ndërsa Melos pas Kupave të Europës, teksa kishte edhe një opsion rinovimi. “Panorama Sport” ka fotografuar dje gjatë daljes nga FSHF dy lojtarët, teksa 30 prilli ka qenë afati i fundit që ata duhet të bënin shkresën zyrtare, fillimisht ta depozitonin në klub, e më pas të vinin në dijeni institucionin e futbollit. Vetëm dy ditë më parë sulmuesi nga Mozambiku dha sinjale të qarta përmes një postimi në “Instagram”, duke shkruar në shqip: “Një muaj tjetër, mjaft”. Ndërkohë, mbetet për t’u parë tashmë se çfarë hapash do të ndjekë klubi me dy lojtarët. Veçanërisht braziliani ka qenë një zbulim për Kukësin këtë sezon, teksa erdhi si mbrojtës krahu, por më shumë ka luajtur si mesfushor.

REAGIMI I GJICIT Si për ironi të fatit, në ditën kur dy titullarët e Kukësit vizituan FSHF-në për të dorëzuar shkresën se nuk duan të rinovojnë kontratën me klubin, ishte edhe ditëlindja e presidentit Safet Gjici. Dje kreu i klubit kuksian festoi 47-vjetorin e lindjes. Për çështjen e dy lojtarëve, gazeta kontaktoi edhe vetë presidentin Gjici, i cili sqaroi se nuk ka asgjë të keqe që lojtarët të shkojnë në FSHF. “Unë mbrëmë (të hënën) kam qenë me Rexhinaldon dhe kemi biseduar. Çdo lojtar ka të drejtë të shkojë në federatë dhe kudo. Kontratat janë në zyrën e klubit dhe lojtari mund të shkojë në FSHF edhe për dokumente të tjera akoma pa mbaruar kampionati. Nuk ka asgjë të keqe këtu, lojtari ka të drejtën e vet të interesohet për çdo gjë”, deklaroi Gjici.


TË NGJASHME