HomeLajmi i Fundit

Tronditet Hollanda/ Vritet brutalisht avokati i një dëshmitari shtetëror

Vrasje mafioze është quajtur ajo e ekzekutimit të një avokati të njohur në Holandë. Mediat e huaja raportojnë se avokati Derk Vierzum, 44 vjeç, po ndiqte një çështje droge, avokati i një dëshmitari që ka si të pandehur anëtarët e një bande të dhunshme droge, të akuzuar për 5 vrasje të kryera në periudhën 2015-2017.

Shefi i policisë, Erik Akerbom deklaroi se me këtë vrasje brutale është kaluar çdo limit.

Ai u ekzekutua me armë zjarri jashtë shtëpisë së tij në Amsterdam, ndërkohë që sipas dëshmive të para në kërkim është një person i dyshuar si autori, i cili është parë të ecte në këmbë fill pas krimit, ndërkohë që në kokë mbante një kapuç.

Shefi i policisë ka thënë se “Tani, edhe njerëzit që bëjnë vetëm detyrën e tyre nuk janë më të sigurt”.

Kurse Jan Struis, kryetar i sindikatës së policisë, tha se krimi i organizuar ka dalë jashtë kontrollit dhe se Holanda është kthyer në një narko-shtet.

Avokati 44-vjeçar po mbronte ish-anëtarin e një bande të kthyer në bashkëpunëtor të drejtësisë, vëllai i të cilit u qëllua për vdekje vitin e kaluar.

5 vrasjet e kryera në dy vjet në qytetet Utreht dhe Amsterdam i atribuohen një bande të njohur me pseudonimin “Mafia Marokene”, pasi anëtarët e saj janë me origjinë nga Maroku.