HomeRajon

Trump pro anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO

SHBA-ja pritet të ratifikojë protokollin për pranimin e Maqedonisë së Veriut në aleancën e NATO-s.

Kërkesa iu drejtua të hënën zyrtarisht Senatit amerikan nga presidenti i vendit, Donald Trump.

Trump: “Maqedonia e Veriut është një partner i SHBA-së që përkushtohet për sigurinë, dhe anëtarësimi i vendit do i sillte përfitime direkte si interesave strategjikë të SHBA-së, edhe vetë aleancës së NATO-s.”

Ambasadori amerikan në NATO ka thënë se SHBA-ja pret që Maqedonia e Veriut të bëhet anëtarja e 30-të e aleancës ushtarake rreth vjeshtës së vitit të ardhshëm.

Protokolli i anëtarësimit të shtetit ballkanik në aleancën e gjerë u firmos në Bruksel më datën 6 shkurt, dhe aktualisht është ratifikuar nga parlamentet e 12 nga 29 shteteve anëtare që numëron organizata, mes tyre edhe Shqipëria.

Maqedonia e Veriut, që më parë njihej si Maqedonia, e ndryshoi emrin e saj në bazë të marrëveshjes historike të Prespës të dakordësuar me Greqinë në qershor të vitit 2018.

Emri i vendit ishte bërë një shkak që fqinji i saj jugor të përdorte veton sa herë tema e anëtarësimit në NATO vihej në diskutim.

Marrëveshja gjithashtu i ka dhënë zgjidhje konflikteve që dy shtetet kishin trashëguar nga shekulli i kaluar, dhe ka çelur një horizont të ri për bashkëpunimet dypalëshe e rajonale në fusha të ndryshme.


TË NGJASHME