HomePolitikë

Trump: Së shpejti mund të shpall emergjencë për sigurinë kufitare

Presidenti i SHBA Donald Trump sinjalizoi të enjten se së shpejti mund të shpallë një emergjencë kombëtare dhe se do të përdorë fondet e ndërtimeve ushtarake për ngritjen e një muri përgjatë kufirit me Meksikën.

Deri tani, ai e ka patur të pamundur të bindë Kongresin që t’i japë fonde për këtë qëllim.

Presidenti Trump shkoi të enjten në Teksas për të parë nga afër përpjekjetsynojnë pengimin e imigracionit të paligjshëm në kufi.

Ai tha se ndoshta do të shpallte deklarimin e emergjencës nëse nuk arrin dot marrëveshje me demokratët e opozitës për financimin e murit. Bisedimet e Shtëpisë së Bardhë me udhëheqësit demokratë, të cilët refuzojnë të japin fonde për murin, përfunduan dje me dështim, ndërkohë që, për shkak të mosmarrëveshjeve, qeveria është mbyllur pjesërisht prej 20 ditësh.

“Unë kam të drejtën absolute për të deklaruar një emergjencë kombëtare”, u tha zoti Trump gazetarëve. “Nuk e kam bërë akoma, por mund ta bëj. Nëse kjo nuk funksionon, ndoshta do ta bëj”.

“Nuk ka asnjë arsye që të mos arrijmë në një marrëveshje”, tha Presidenti Trump, duke shtuar se “pala tjetër nuk kujdeset për sigurinë e kufirit”.

Presidenti Trump tha se ekzistojnë fonde të mjaftueshme (në dispozicion për murin) nëse ekziston një emergjencë kombëtare. Ndërkohë, demokratët dhe grupe të tjera pothuajse me siguri do të ngrenë sfida ligjore ndaj një deklarate emergjence të presidentit dhe ndaj përdorimit të fondeve ushtarake që tashmë janë caktuar për projekte të tjera.

“Do të doja ta arrija këtë përmes Kongresit,” tha Presidenti Trump. “Ka kuptim të bëjmë marrëveshjen përmes Kongresit. … Do të ishte mirë nëse mund të bëjmë një marrëveshje, por të merresh me këta njerëz është qesharake.”

Kreu i Rezervës Federale, Jerome Powell tha se nëse mbyllja e qeverisë vazhdon për një periudhë të gjatë, kjo do të dëmtonte ekonominë e SHBA, më e madhja në botë. “Unë mendoj se kjo do të shfaqet mjaft qartë në të dhënat për ekonominë”, tha ai.


TË NGJASHME